Scan Life Postuar më 23 Tetor 2025, 09:53

Makina fluturuese “prek” qiellin e Dubait - Kompania kineze prezanton modelin e ri të transportit ajror

Nga Kristi Ceta

Makina fluturuese “prek” qiellin e Dubait - Kompania kineze

Një makinë fluturuese e zhvilluar nga kompania kineze ARIDGE është prezantuar për herë të parë në Dubai, duke shënuar një hap të guximshëm drejt një epoke të re të transportit.

Mjeti, i quajtur “Land Aircraft Carrier”, përbëhet nga një automjet tokësor, i njohur si “anija mëmë”, dhe një modul ajror i shkëputshëm. Ky modul mund të vendoset lehtësisht brenda automjetit, shfaqet automatikisht me shtypjen e një butoni dhe mund të fluturojë në mënyrë autonome ose manuale, pa kërkuar shumë përvojë teknike.

Zhvilluesi i tij, ARIDGE, po e çon lëvizshmërinë inteligjente në një nivel të ri me këtë automjet revolucionar, që pritet të ndryshojë mënyrën se si njerëzit udhëtojnë. “Ky është një moment historik për kompaninë tonë. Ne kemi prezantuar zyrtarisht produktin tonë jashtë Kinës. Po ashtu, ky është demonstrimi i parë me pilot jashtë vendit në këtë zonë, që tregon potencialin e jashtëzakonshëm të këtij mjeti,” tha drejtori financiar dhe nënkryetari i ARIDGE, Michael Du.

“Land Aircraft Carrier” është automjeti fluturues i parë në botë që prodhohet në masë, dhe një dëshmi e inovacionit kinez për të ndërtuar produkte të sigurta dhe inteligjente. Kur u pyet pse kompania zgjodhi Dubain për këtë prezantim, Du theksoi hapjen e Emirateve të Bashkuara Arabe ndaj teknologjive të reja.

“Emiratet dhe rajoni i Gjirit kanë përqafuar teknologjitë e avancuara gjatë dekadave të fundit, veçanërisht në fushën e lëvizshmërisë ajrore të avancuar. Ky mentalitet është shumë i rëndësishëm për suksesin e produktit. Përveç kësaj, Dubai ofron mjedisin ideal, me infrastrukturë të përshtatshme, skenarë praktikë përdorimi dhe një bazë të gjerë klientësh me mundësi të larta ekonomike,” u shpreh ai.

Michael Du gjithashtu vuri në dukje avantazhet që ka Kina në ekonominë e re të fluturimeve me lartësi të ulët. “Së pari, vendosmëria e qeverisë për të bashkërenduar zhvillimin e rregulloreve me atë të produkteve është një faktor kyç. Së dyti, duke qenë se mjetet elektrike me ngritje dhe ulje vertikale janë natyrshëm elektrike, Pekini ka një përparësi të madhe,” shtoi ai.

ARIDGE parashikon që tregu global i pasagjerëve për mjetet fluturuese elektrike me ngritje dhe ulje vertikale do të arrijë vlerën e 225 miliardë dollarëve amerikanë deri në vitin 2040.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat