Scan Life Postuar më 9 Tetor 2025, 12:43

Ferrari prezanton makinën e parë elektrike - Modeli i ri pritet të kushtojë 500,000 euro, me shpejtësi deri në 310 km/h

Nga Kristi Ceta

Ferrari prezanton makinën e parë elektrike - Modeli i ri pritet

Ferrari ka zbuluar teknologjinë e makinës së tij të parë elektrike, Elettrica. Marka italiane luksoze synon të shtojë energjinë elektrike te modelet hibride dhe ato me motor me benzinë.

Makina, që pritet të prezantohet vitin tjetër në një premierë globale, do të ketë shpejtësi maksimale prej 310 km/h, pak më pak se shumica e modeleve me motor tradicional, dhe një autonomi prej të paktën 530 km.

Elettrica do të ketë një sistem të veçantë që forcon dridhjet reale nga struktura elektrike, për të krijuar një tingull autentik, që nuk do të jetë thjesht imitim i zhurmës së motorit.

Zbulimi i modelit të parë elektrik të Ferrari-t shënon një pikë kthese për industrinë automobilistike, që është duke u përballur me kalimin nga motori me djegie të brendshme drejt baterive.

“Sot është një ditë historike për ne,” tha CEO Benedetto Vigna, duke shtuar se makina elektrike do të plotësojë e jo të zëvendësojë modelet ekzistuese të kompanisë.

Si shumë marka të tjera, Ferrari ka qenë i kujdesshëm në procesin e elektrifikimit. Reuters raportoi në qershor se gjiganti automobilistik ka vonuar një model të dytë elektrik deri në vitin 2028 për shkak të mungesës së kërkesës. Konkurrenti Lamborghini, pjesë e Volkswagen, ka shtyrë krijimin e makinës së parë elektrike deri në vitin 2029, duke thënë se tregu nuk është ende gati.

Ferrari planifikon që deri në vitin 2030, 20% e modeleve të tij të jenë plotësisht elektrike, sipas planit afatgjatë të biznesit. Kjo është më pak se objektivi prej 40% që kishte vendosur tre vjet më parë.

Elettrica, që pritet të kushtojë të paktën 500,000 euro, vjen pothuajse dy dekada pas mbërritjes së teknologjisë hibride në makinat e Formula 1 në vitin 2009. Ferrari nisi shitjen e modeleve hibride në 2019.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat