Scan Life Postuar më 8 Prill 2025, 14:10

Evropa regjistron marsin më të ngrohtë në histori - Ndryshimet klimatike rritën temperaturat, shkaktuan përmbytje e thatësira

Nga Kristi Ceta

Evropa regjistron marsin më të ngrohtë në histori -

Evropa përjetoi marsin e saj më të ngrohtë që nga fillimi i regjistrimeve, ndërsa ndryshimet klimatike vazhdojnë t'i shtyjnë temperaturat në nivele të paprecedenta, njoftuan shkencëtarët e Bashkimit Evropian.

Në nivel global, muaji i kaluar ishte marsi i dytë më i ngrohtë i planetit në rekord, i tejkaluar vetëm nga marsi i vitit 2024, tha Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike të BE-së (C3S) në një buletin mujor.

Marsi vazhdoi me një vapë të jashtëzakonshme, në të cilën 20 nga 21 muajt e fundit shënuan një temperaturë mesatare globale prej më shumë se 1.5 gradë Celsius mbi periudhën paraindustriale. Të dhënat treguan se viti i kaluar ishte më i nxehti i planetit në histori.

Temperatura mesatare globale në mars ishte 1.6 gradë Celsius më e lartë se në kohët paraindustriale. Sipas shkencëtarëve të klimës, nxitësit kryesorë të ndryshimeve klimatike janë emetimet e gazeve serrë nga djegia e lëndëve djegëse fosile.

Një drejtuese strategjike në Qendrën Evropiane për Parashikimet e Motit me Rreze të Mesme, e cila drejton shërbimin C3S, vuri në dukje se Evropa gjithashtu përjetoi ekstreme, si në shi të dendur, ashtu edhe në thatësirë.

Muajin e kaluar, kontinenti i vjetër regjistroi "shumë zona që përjetuan marsin e tyre më të thatë në histori dhe të tjera marsin më të lagësht të regjistruar në të paktën 47 vitet e fundit," tha ajo.

Ndryshimet klimatike po i bëjnë disa rajone më të thata dhe po nxitin valët e të nxehtit që mund t'i bëjnë thatësirat më të rënda, duke rritur shkallën e avullimit, duke tharë tokën dhe bimësinë.

Por ngrohja e planetit gjithashtu përkeqëson reshjet e mëdha që mund të shkaktojnë përmbytje. Kjo për shkak se ajri më i ngrohtë mban më shumë lagështi, kështu që retë e stuhisë janë "më të rënda" përpara se të thyhen përfundimisht.

Të dhënat e temperaturave të C3S shkojnë pas deri në vitin 1940 dhe janë të ndërlidhura me të dhënat globale që kthehen deri në 1850.

Ndrysho madhesinë
Aa
Modaliteti i errët

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat