FunData Postuar më 28 Janar 2026, 11:49

Të huajt “ekzotikë” në Shqipëri/ Nigerianët, marokenët dhe filipinasit udhëheqin fluksin

Nga Xhorxhina Deda

Të huajt “ekzotikë” në Shqipëri/

Statistikat e INSTAT për hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri publikohen në mënyrë periodike sipas vendeve të origjinës, por jo të gjitha shtetet paraqiten individualisht. Krahas vendeve kryesore europiane dhe rajonale, një pjesë e konsiderueshme e hyrjeve grupohen nën kategorinë e përgjithshme “Vende të tjera të Botës”, pa detaje të mëtejshme (shiko këtu).  Të dhënat për vitin 2025 tregojnë se kjo kategori nuk është aspak margjinale. Në vitin 2025 janë regjitruar gjithsej 153,781 hyrje nga vendet e tjera.

“Scan Intel” ka siguruar të dhënat nga “INSTAT” për kategorinë “Vende të tjera të Botës”, ku fshihen dhjetëra shtete nga Afrika, Azia, Lindja e Mesme dhe Amerika Latine, me një numër hyrjesh që në disa raste kalon disa mijëra vizitorë në vit.

Në krye të listës qëndron Nigeria, me 11,877 hyrje në vitin 2024 dhe 15,192 në vitin 2025, duke u renditur si vendi jo-europian me fluksin më të lartë në këtë kategori. Pas saj vijnë Filipinet, Maroku, Meksika, Kolumbia dhe Japonia, secila me mijëra hyrje vjetore. Vetëm nga këto gjashtë shtete janë regjistruar mbi 50 mijë hyrje në vit, një shifër që i kalon flukset nga disa vende europiane të raportuara individualisht në statistikat zyrtare.

Lista përfshin edhe një numër të konsiderueshëm shtetesh afrikane, si Algjeria, Tunizia, Afrika e Jugut, Zimbabve, Gana, Kenia dhe Kameruni. Vetëm nga Zimbabvet, hyrjet janë më shumë se dyfishuar nga viti 2024 në 2025.

Nga Azia, përveç vendeve të njohura si Japonia, Koreja e Jugut dhe Kazakhstani, shfaqen edhe shtete më pak të lidhura tradicionalisht me Shqipërinë si Bangladeshi, Nepali, Sri Lanka, Vietnami, Indonezia dhe Tajlanda. Edhe pse numrat nuk janë masivë, prania e tyre është e vazhdueshme.

Të dhënat tregojnë gjithashtu një prani të dukshme nga Amerika Latine, përfshirë Perunë, Kilin, Uruguajin, Ekuadorin, Guatemalën, Kubën dhe Venezuelën. Në disa raste, hyrjet arrijnë mbi dy mijë vizitorë në vit, një shifër jo e zakonshme për tregje kaq të largëta gjeografikisht.

Nga Lindja e Mesme, përveç vendeve tashmë të njohura si Emiratet e Bashkuara Arabe, shfaqen edhe Kuvajti, Jordania, Libani, Bahreini, madje edhe shtete në konflikt si Siria dhe Iraku.

Por cilat nga këto shtete “ekszotike” është parë rritja më e lartë e hyrjve?

Rritjet më të forta vjetore të hyrjeve në vitin 2025, krahasuar me vitin 2024, vërehen kryesisht te shtete jo tradicionale për flukset drejt Shqipërisë. Zimbabve shënon rritjen më të lartë relative, me 120.3%, e ndjekur nga Vietnami me 79.2%, Jordania me 78.7%, Gana me 75.9% dhe Siria me 71.9%. Rritje regjistrohen gjithashtu nga Tunizia me 69.3%, Kameruni me 69.7%, Qiproja me 68.2% dhe Kenia me 62.4%. Në të kundërt, disa shtete shënojnë rënie të fortë, si Kuvajti me 57.3% dhe Bahreini me 55.0%.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat