FunData Postuar më 14 Korrik 2026, 10:51

Shkolla e mesme, pa garanci për punë/ Më shumë të papunë afatgjatë me gjimnaz se ato me arsim 8/9 vjeçar

Nga Xhorxhina Deda

Shkolla e mesme, pa garanci për punë/ Më shumë të

Numri i të papunëve afatgjatë u ul gjatë vitit 2025, por të dhënat tregojnë se përmirësimi nuk është shpërndarë njësoj mes grupmoshave, gjinive dhe niveleve të arsimit.

Në total, numri i personave të papunë për një periudhë të gjatë zbriti në rreth 78 mijë, nga mbi 83 mijë një vit më parë, kjo edhe për shkak të emigrimit ap plakjes së popullsisë. Grupi më i madh mbetet ai i personave me arsim të mesëm, me afro 35 mijë të papunë afatgjatë, pak më shumë se kategoria me arsim 8/9 vjeçar. Ndërkohë, personat me arsim të lartë përbëjnë një pjesë dukshëm më të vogël të totalit.

Të dhënat nxjerrin në pah edhe dallime të forta gjinore. Te burrat, grupi më i madh i të papunëve afatgjatë është ai me arsim të mesëm, ndërsa te gratë mbizotërojnë personat me arsim 8/9 vjeçar. Numri i grave në këtë kategori u rrit gjatë vitit, ndërsa te burrat shënoi rënie. Kjo mund të lidhet me faktin se burrat me arsim më të ulët gjejnë më lehtë punë në ndërtim, bujqësi, transport, prodhim apo punë të tjera fizike, ku diploma nuk është gjithmonë kusht kryesor.

Një panoramë e kundërt paraqitet te personat me arsim të lartë. Numri i grave të papuna afatgjatë në këtë kategori u reduktua ndjeshëm, ndërsa te burrat u regjistrua rritje. Kjo tregon se ndryshimet brenda së njëjtës kategori arsimore kanë qenë të ndryshme sipas gjinisë.

Edhe mosha ndikon ndjeshëm në shpërndarjen e papunësisë afatgjatë. Numri i të papunëve u reduktua ndjeshëm te të rinjtë, veçanërisht në grupmoshën 25-29 vjeç. Në të kundërt, te personat 55-64 vjeç u regjistrua një rritje e dukshme.

Kjo e bën më të vështirë situatën për personat pranë moshës së pensionit, të cilët mund të përballen me pengesa më të mëdha për t’u rikthyer në tregun e punës. Përvoja e gjatë nuk duket se mjafton gjithmonë për të garantuar një punësim të ri, sidomos kur kërkesat e tregut ndryshojnë. Në këtë grupmoshë, papunësia afatgjatë është rritur në të gjitha nivelet kryesore të arsimit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat