FunData Postuar më 5 Mars 2026, 12:50

Sa vlen një orë biznes në Shqipëri? Ndërmarrjet qarkullojnë rreth 4.2 milionë euro çdo 60 minuta

Nga Xhorxhina Deda

Sa vlen një orë biznes në Shqipëri? Ndërmarrjet

Shifrat zyrtare për ekonominë zakonisht publikohen në total vjetor dhe janë të vështira për t’u kuptuar nga publiku i gjerë. Por çfarë ndodh nëse ato përkthehen në ritmin e një dite, një ore apo edhe një minute?

Bizneset në Shqipëri realizuan gjatë vitit 2024 rreth 3.5 trilionë lekë shitje neto ose rreth 36.6 miliardë euro, sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga INSTAT. “Scan Intel” ka analizuar të dhënat duke i përkthyer këto shifra në ritmin e një dite, ore dhe minute, për ta bërë më të kuptueshme për publikun.

E përkthyer në terma më të thjeshtë, kjo shumë do të thotë se bizneset në vend shesin mesatarisht afro 9.6 miliardë lekë në ditë ose 100 milionë euro.

Kjo është një mesatare vjetore e përllogaritur duke pjesëtuar totalin e shitjeve me 365 ditë dhe përfshin çdo ditë të vitit, por nuk nënkupton që çdo ditë ka të njëjtin nivel aktiviteti.

E ndarë në intervale më të vogla kohe, kjo shumë përkthehet në rreth 4.2 milionë euro në orë, mbi 69 mijë euro në minutë dhe rreth 1,160 euro në sekondë. Shifra përfaqëson vëllimin total të shitjeve të ndërmarrjeve aktive në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, si tregtia, industria përpunuese, ndërtimi, transporti, akomodimi dhe shërbimet e tjera.

Sa vlen një orë biznes në Shqipëri? Ndërmarrjet

Ajo pasqyron qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve në ekonomi dhe jo fitimin neto të bizneseve, pasi nga të ardhurat zbriten kostot e operimit, pagat, furnizimet dhe detyrimet tatimore.

Rreth 1 miliard lekë çdo 2 orë e 28 minuta

Nëse kjo mesatare ditore ndahet në intervale kohe, rezulton se bizneset në Shqipëri realizojnë rreth 1 miliard lekë shitje çdo 2 orë e 28 minuta, ose rreth 10 milionë euro.

Le të supozojmë se ora shënon 08:00. Hapet një dyqan lagjeje. Një furrë nxjerr bukën e parë. Një magazinë shpërndan mall. Nga ky moment, në bazë të mesatares vjetore, duhen më pak se dy orë e gjysmë që totali i shitjeve në rang vendi të arrijë në 1 miliard lekë.

Aktiviteti që realizon pjesën më të madhe të shitjeve në Shqipëri është tregtia. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave, sektori i tregtisë realizoi rreth 1.6 trilionë lekë shitje neto gjatë vitit 2024, ose rreth 46.1% të totalit të shitjeve të bizneseve në vend. I përkthyer në mesatare ditore, kjo do të thotë se bizneset e tregtisë shesin rreth 4.47 miliardë lekë në ditë, ose afërsisht 186 milionë lekë në orë.

Kjo është një përllogaritje statistikore mbi bazën e mesatares vjetore, që synon të ilustrojë përmasën e qarkullimit ekonomik.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat