FunData Postuar më 23 Janar 2026, 12:14

Rreth 23 mijë shqiptarë dolën çdo ditë nga vendi/ Toka, ajri apo deti, cila është mënyra më e preferuar e udhëtimit?

Nga Xhorxhina Deda

Rreth 23 mijë shqiptarë dolën çdo ditë nga vendi/

Në vitin 2025, 8.5 milion dalje nga territori të shqiptarëve e vendosin vendin tonë në një ritëm lëvizjeje të jashtëzakonshëm. Ky është tregues i një dinamike të re të përditshme. shqiptarët po udhëtojnë më shumë jashtë për turizëm, punë, arsye personale dhe familjare apo studime. Në terma më të prekshëm, kjo do të thotë se rreth 23,500 shqiptarë kanë dalë mesatarisht çdo ditë nga vendi në vitin që lamë pas. Një numër që habit dhe flet për lidhjet e forta me jashtë dhe ritmin intensiv të udhëtimeve.

Një arësye e fortë është edhe nënçmimi i monedhës së përbashkët europiane dhe rrjedhimisht paketa më të lira turistike të cilat ofrohen shpesh herë në euro.

Për nga mënyra e largimit, toka mbetet rruga kryesore, duke përfshirë autobusë, makina private. Në total, 6 milionë shqiptarë dalin nga vendi me tokë, që përkthehet në mbi 16,500 njerëz në ditë vetëm me rrugë tokësore. Udhëtimet ajrore gjithashtu shënojnë një numër të konsiderueshëm, me 2.2 milionë dalje, ndërsa lundrimet me det kontribuojnë 282,648 dalje, kryesisht për pushime dhe tregti.

Ky fenomen reflekton ndryshimet në mënyrën se si shqiptarët lidhen me botën jashtë kufijve. Nga përqindjet e përdorimit të rrugëve të ndryshme, duket se toka mbetet zgjedhja më popullore, ndoshta për shkak të afërsisë me vendet fqinje dhe kostove më të ulëta të udhëtimit. Udhëtimet me ajër po rriten ndjeshëm, duke treguar një trend drejt udhëtimeve më të shpejta dhe të shpeshta, ndërsa deti ruan një rol simbolik dhe sezonal.

Në perspektivë, këto shifra japin një foto unike të mobilitetit shqiptar, duke treguar se lëvizja e përditshme e qytetarëve është pjesë integrale e ekonomisë, turizmit dhe jetës sociale.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat