FunData Postuar më 24 Prill 2026, 11:25

Qytet apo fshat, ku zgjat më shumë pensioni? Pensionistët e fshatit e gëzojnë pensionin rreth 7 vite më shumë se ata në zona urbane

Nga Scan TV

Qytet apo fshat, ku zgjat më shumë pensioni?  Pensionistët e

Një pensionist në Shqipëri e gëzon pensionin mesatarisht për rreth 22.8 vite sipas shifrave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, ndërsa gratë e marrin atë për një periudhë dukshëm më të gjatë se burrat. Të dhënat tregojnë se burrat e përfitojnë pensionin mesatarisht për 19.1 vite, ndërsa gratë për 26.9 vite, duke krijuar një diferencë prej afro 8 vitesh mes dy gjinive.

Kjo lidhet drejtpërdrejt edhe me moshën mesatare të daljes në pension, por edhe me jetëgjatësinë. Sipas të dhënave, burrat dalin në pension mesatarisht në moshën 65 vjeç, ndërsa gratë në 62 vjeç, çka do të thotë se gratë hyjnë më herët në skemën e pensioneve dhe, njëkohësisht, e gëzojnë atë për një periudhë më të gjatë. Të dhënat e fundit që disponon INSTAT tregojnë se jetëgjatësia mesatare në lindje arrin në 80.6 vite, ndërsa gratë jetojnë mesatarisht më gjatë se burrat, përkatësisht 82.5 vite kundrejt 78.6 viteve.

Në zonat rurale pensioni zgjat më shumë se në qytet

Të dhënat tregojnë se ka edhe dallime të dukshme mes zonave urbane dhe rurale. Në qytete, një pensionist e gëzon pensionin mesatarisht për rreth 20.9 vite, ndërsa në zonat rurale kjo periudhë arrin në 28.2 vite, pra rreth 7 vite më shumë.

Edhe sipas gjinisë, diferencat janë të ndjeshme në të dy zonat. Në qytete, burrat e marrin pensionin mesatarisht për 18.2 vite, ndërsa gratë për 25.2 vite. Në zonat rurale, periudha është edhe më e gjatë: 24.7 vite për burrat dhe 29.9 vite për gratë.

Këto diferenca lidhen jo vetëm me jetëgjatësinë, por edhe me moshën e daljes në pension dhe strukturën demografike të zonave rurale, ku një pjesë e mirë e pensionistëve jetojnë më gjatë pas përfitimit të pensionit.

Në total, periudha mesatare prej mbi 22 vite që një pensionist përfiton pensionin tregon se skema e sigurimeve shoqërore përballet me një barrë të vazhdueshme financiare.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat