FunData Postuar më 6 Shkurt 2026, 11:25

Nga cilat vende e blejmë më shtrenjtë mishin? Nga Japonia, te Kili. Furnizuesit më të kushtueshëm dhe më të lirë për vitin 2025

Nga Xhorxhina Deda

Nga cilat vende e blejmë më shtrenjtë mishin? Nga Japonia, te

Shqipëria ka importuar mish nga dhjetëra vende gjatë vitit 2025, por çmimi për kilogram ndryshon ndjeshëm në varësi të origjinës. Të dhënat zyrtare të importeve, të përpunuara sipas vlerës dhe peshës, tregojnë se ndërsa pjesa më e madhe e mishit vjen nga vende me çmime relativisht të ulëta, një sasi e vogël importohet me kosto shumë të lartë për kilogram.

Në krye të listës për mishin më të shtrenjtë që hyn në vend renditet Kili, me një çmim mesatar prej rreth 6,460 lekë për kilogram. Edhe pse sasia e importuar nga ky vend është minimale, vetëm 173 kilogramë, vlera e lartë për njësi e bën atë importin më të kushtueshëm në raport me peshën.

Pas Kilit vjen Japonia, nga ku Shqipëria ka importuar vetëm 2.8 ton mish, por me një çmim mesatar prej 3,577 lekë për kilogram. Edhe Australia dhe Uruguai shfaqen me çmime shumë të larta, përkatësisht mbi 2,650 lekë/kg dhe 1,440 lekë/kg, duke reflektuar produkte premium ose kosto të larta transporti.

Në grupin e importeve me çmime të larta për kilogram përfshihen gjithashtu Botswana, Irlanda, Austria, Maqedonia e Veriut dhe Argjentina, ku çmimi luhatet nga 500 deri në mbi 1,500 lekë për kilogram. Edhe këtu bëhet fjalë për sasi relativisht të vogla, por me ndikim të fortë në koston mesatare të importeve.

Në krahun tjetër të tabelës qëndrojnë vendet nga të cilat Shqipëria furnizohet me mish më të lirë. Sllovakia kryeson me vetëm 46 lekë për kilogram, e ndjekur nga Belgjika, Sllovenia, Lituania dhe Greqia, ku çmimi mbetet nën ose rreth 100 lekë për kilogram. Pikërisht këto vende përbëjnë bazën e importeve me kosto të ulët.

Brazili, nga i cili kemi edhe volumin më të lartë të importit, çmimi për kilogram vlerësohet në 189 lekë, ndërsa me Italinë në 198 lekë.

Çmimet shumë të larta për kilogram të mishit të importuar nga vende si Japonia, Kili, Australia apo Uruguai lidhen kryesisht me sasi shumë të vogla importi dhe me produkte të kategorisë premium. Në këto raste, kostot fikse të transportit ndërkontinental, zinxhirit frigoriferik dhe procedurave doganore ndahen në pak kilogramë, duke e rritur ndjeshëm çmimin mesatar për njësi. Bëhet fjalë për importe simbolike, shpesh të destinuara për restorante apo konsum të specializuar, dhe jo për furnizimin masiv të tregut.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat