FunData Postuar më 1 Korrik 2026, 11:23

Meshkujt blejnë më shumë filma, femrat bileta koncertesh/ Mbi një e treta e përdoruesëve të internetit, bileta online për evente kulturore

Nga Eldiona Serani


Përdorimi i internetit për blerjen e mallrave dhe shërbimeve kulturore mbetet në rritje, me biletat për aktivitete kulturore dhe sportive në krye të preferencave të qytetarëve. Të dhënat e publikuara në “Statistikat e Kulturës 2025”  bazuar në Anketën e Përdorimit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) nga INSTAT, tregojnë se gjithnjë e më shumë individë po përdorin platformat online për të siguruar produkte dhe shërbime që lidhen me kulturën dhe argëtimin.

 

Sipas raportit, 36.7% e personave të moshës 16-74 vjeç, që kanë përdorur internetin gjatë tre muajve të fundit, kanë blerë online bileta për evente kulturore dhe sportive. Po e njëjta përqindje rezulton edhe për blerjen e biletave për aktivitete të tjera kulturore, si kinema, koncerte apo panaire, duke i renditur këto si kategoritë më të kërkuara në internet.

 

Ndërkohë, 34.3% e përdoruesve kanë kryer blerje online për mallra sportive, duke përjashtuar veshjet sportive. Interesi për përmbajtjet kulturore në format fizik apo dixhital mbetet më i ulët, pasi 13% kanë blerë libra, gazeta ose revista, ndërsa vetëm 11.6% kanë blerë filma dhe muzikë përmes internetit.

 

Raporti evidenton gjithashtu dallime të dukshme sipas gjinisë. Meshkujt rezultojnë më aktivë në blerjet online të mallrave sportive dhe të filmave e muzikës, ndërsa femrat dominojnë në blerjen e biletave për aktivitete kulturore, si kinema, koncerte dhe panaire. Kjo tregon se preferencat e konsumit kulturor ndryshojnë jo vetëm sipas interesave personale, por edhe sipas gjinisë.

Edhe grupmoshat paraqesin prirje të ndryshme në përdorimin e internetit për blerje kulturore. Të rinjtë 16-24 vjeç janë përdoruesit më aktivë për blerjen online të biletave për evente kulturore dhe sportive, ku kjo kategori arrin në 48.2%. Nga ana tjetër, grupmosha 25-54 vjeç shfaq angazhim më të madh në blerjen e biletave për aktivitete të tjera kulturore, ndërsa grupmosha 55-74 vjeç dallohet për përqindje më të larta në blerjen e librave, revistave, filmave, muzikës dhe mallrave sportive.

 

Të dhënat e INSTAT tregojnë se përdorimi i internetit po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një kanal të rëndësishëm për aksesin në produkte dhe shërbime kulturore. Rritja e blerjeve online reflekton ndryshimet në sjelljen e konsumatorëve, të cilët po zgjedhin gjithnjë e më shpesh platformat dixhitale për të siguruar pjesëmarrjen në aktivitete kulturore dhe për të plotësuar nevojat e tyre në fushën e kulturës dhe argëtimit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat