FunData Postuar më 23 Dhjetor 2025, 12:06

Kush e nxiti rritjen e turizmit në vend? Izraelitët, fqinjët dhe europianët. Kosova mban pjesën dërrmuese të fluksit

Nga Xhorxhina Deda

Kush e nxiti rritjen e turizmit në vend? Izraelitët, fqinjët dhe

Mbi 700 mijë të huaj më shumë kanë hyrë në vendin tonë përgjatë periudhës Janar-Nëntor të ketij vitit, krahasuar me një vit më parë.

Pjesën dërrmuese të fluksit vijojnë ta mbajnë vendet e rajonit, veçanërisht Kosova, Italia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Greqia. Vetëm nga Kosova janë regjistruar mbi 4.4 milionë hyrje, me një rritje prej 5.2%, duke konfirmuar peshën vendimtare të lëvizjeve ndërkufitare dhe të diasporës. Në rritje janë shënuar edhe hyrjet nga Italia, me mbi 1.18 milionë shtetas dhe një rritje vjetore prej 2.3%.

Me rritjen dyshifrore më të lartë, krahasuar me një vit më parë mund të përmendim hyrjet nga Argjentina, Bosnje Hercegovina, Belgjika, Brazili, Kanadaja, Zvicra, Gjermania, Danimarka, Estonia, Egjipti, Franca, Greqia, Hungaria, Irlanda, Luksmeburgu, India dhe Ukraina.

Mes renditjes gjejmë edhe me vende me rritje treshifrore si rasti i hyrjeve nga Izraeli, shteti me rritjen më të lartë prej 591%.

Në kontrast me këtë prirje, disa vende të Europës Lindore dhe të tjera kanë shënuar rënie të hyrjeve. Polonia, Rumania, Rusia, Bjellorusia, Spanja, Letonia dhe Turqia rezultojnë me ulje krahasuar me një vit më parë, ndërsa kategoria “vende të tjera të botës” ka pësuar rënie mbi 10%. Këto luhatje tregojnë një ndryshim gradual të profilit të hyrjeve sipas origjinës gjeografike.

Në tërësi, të dhënat e 11-të muajve të parë tregojnë një rritje të qëndrueshme të hyrjeve në vend, por me dallime të theksuara mes shteteve dhe rajoneve. Tendenca konfirmon rëndësinë e vendeve fqinje dhe të Europës Perëndimore në strukturën e fluksit, ndërsa disa tregje të tjera mbeten më të paqëndrueshme.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat