FunData Postuar më 19 Gusht 2026, 12:50

Kultura nën “lupën” e çmimeve/ Librat u bënë më të kushtueshëm. Instrumentet muzikore pësuan rënie

Nga Eldiona Serani

Kultura nën “lupën” e çmimeve/ Librat u

Niveli dhe struktura e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve janë ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në shpenzimet e familjeve. Në këtë kuadër, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit ofron një pasqyrë të rëndësishme mbi ndryshimet e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve kulturore. Të dhënat mujore që siguron indeksi mundësojnë ndjekjen dhe monitorimin e vazhdueshëm të lëvizjeve të çmimeve në këtë sektor, duke ndihmuar në kuptimin më të qartë të mënyrës se si ndryshimet e tyre ndikojnë në shpenzimet për kulturën.

Në një kohë kur konsumatorët po përballen me ndryshime të vazhdueshme të çmimeve, edhe tregu i mallrave dhe shërbimeve kulturore ka pësuar lëvizje të ndryshme gjatë vitit 2025. Sipas të dhënave të INSTAT, librat kanë shënuar rritjen më të madhe të çmimeve, ndërsa disa produkte të tjera kulturore janë bërë më të lira.

Indeksi i harmonizuar i çmimeve për librat u rrit nga 127.0 në vitin 2024 në 130.7 pikë në vitin 2025, që përkthehet në një rritje prej 2.9%. INSTAT e rendit këtë si rritjen më të lartë ndër kategoritë kulturore.

Në kahun e kundërt janë pajisjet audiovizuale dhe fotografike, çmimet e të cilave ranë me 1.8%, duke e bërë këtë kategorinë me uljen më të madhe. Edhe instrumentet muzikore u bënë më të lira. Indeksi i tyre zbriti nga 153.4 pikë  në 151.4 pikë, duke shënuar një rënie prej rreth 1.3%.

Ndërkohë, çmimet e shërbimeve kulturore shënuan një ulje të lehtë prej 0.3%, ndërsa gazetat dhe periodikët e tjerë patën një ndryshim shumë të vogël, me vetëm 0.2% rritje.

Të dhënat tregojnë kështu një panoramë të përzier të konsumit kulturor në Shqipëri ndërsa leximi është bërë disi më i kushtueshëm, teknologjia audiovizuale dhe instrumentet muzikore kanë pasur një tendencë të kundërt.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat