Çfarë peshe ka Shqipëria në hartën globale? Renditemi në vendin e 143-të, pesë shtete mbajnë rreth 40% të tokës së botës
![]()
Në hartën e botës, diferencat mes shteteve janë shumë më të mëdha nga sa mund të duken në pamje të parë. Vetëm pesë vende kontrollojnë rreth 40% të sipërfaqes tokësore globale, ndërsa Shqipëria përfaqëson vetëm 0.02% të saj. Një renditje e publikuar nga Visual Capitalist tregon se sa e përqendruar është toka e planetit në një numër të vogël shtetesh dhe sjell disa krahasime surprizuese mes vendeve dhe kontinenteve.
Renditja bazohet vetëm te sipërfaqja tokësore, pra nuk përfshin liqenet dhe ujërat e tjera të brendshme. Në të dhënat e publikuara, sipërfaqja tokësore e botës arrin në rreth 50.1 milionë milje katrore, ose afërsisht 129.8 milionë kilometra katrorë.
Në këtë hartë globale, Shqipëria renditet e 143-ta, me 10,579 milje katrore tokë, ekuivalente me rreth 27,400 kilometra katrorë. Kjo do të thotë se vendi ynë përfaqëson vetëm 0.02% të sipërfaqes tokësore të botës. Për ta kuptuar më mirë përmasën, do të duheshin rreth 4,700 territore me madhësinë e Shqipërisë për të mbuluar të gjithë sipërfaqen tokësore të përfshirë në renditje.
Në krye qëndron Rusia, e cila e vetme përfaqëson rreth 12.6% të tokës së botës. Diferenca me Shqipërinë është e jashtëzakonshme. Sipërfaqja tokësore e Rusisë është afërsisht 600 herë më e madhe se ajo e vendit tonë. Pas saj renditen Kina, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Brazili. Të pesta së bashku zënë rreth 40% të gjithë tokës globale.
Edhe shpërndarja sipas rajoneve tregon kontraste të forta. Azia përbën 31.8% të sipërfaqes tokësore të botës, pjesa më e madhe mes rajoneve të analizuara. Në këtë klasifikim Rusia llogaritet si pjesë e Azisë, pasi rreth 77% e territorit të saj ndodhet në kontinentin aziatik, edhe pse shumica e popullsisë ruse jeton në pjesën evropiane.
Një tjetër krahasim interesant vjen mes Evropës dhe Lindjes së Mesme. Kur Rusia përjashtohet nga Europa, kontinenti përfaqëson rreth 4.4% të tokës globale, më pak se 4.8% që i takon Lindjes së Mesme. Arabia Saudite, shteti më i madh i këtij rajoni, renditet e 12-ta në botë për sipërfaqe tokësore.
Mënyra e llogaritjes prodhon edhe rezultate që mund të duken të pazakonta. Shtetet e Bashkuara renditen përpara Kanadasë kur matet vetëm toka. Kanadaja është më e madhe për sipërfaqe totale, por ka një sasi shumë të madhe ujërash të brendshme, të cilat nuk llogariten në këtë klasifikim. Vetëm Liqenet e Mëdha, të shtrira mes SHBA-ve dhe Kanadasë, mbulojnë mbi 94 mijë milje katrore.
Madje, SHBA-të dhe Kanadaja së bashku kanë mbi 6.9 milionë milje katrore tokë, më shumë se e gjithë Amerika e Jugut. Në këtë të fundit, Brazili përfaqëson pothuajse gjysmën e sipërfaqes tokësore të kontinentit, i ndjekur nga Argjentina, Peruja dhe Kolumbia.
Edhe Afrika tregon se hartat tradicionale jo gjithmonë na japin perceptimin e duhur për përmasat reale. Plot 21 nga 50 vendet më të mëdha të botës për sipërfaqe tokësore ndodhen në Afrikë, më shumë se në çdo rajon tjetër. Megjithatë, shteti më i madh i kontinentit, Algjeria, është vetëm i dhjeti në renditjen globale. Në total, Afrika ka rreth 14 herë më shumë tokë se Groenlanda, edhe pse projeksionet e zakonshme të hartave e bëjnë Groenlandën të duket shumë më e madhe nga sa është në realitet.
Shqipëria, ndërkohë, gjendet mes vendeve me sipërfaqe relativisht të afërt. Haiti, i renditur një pozicion më lart, ka 10,641 milje katrore tokë, vetëm 62 milje katrore më shumë se Shqipëria. Pas vendit tonë renditet Burundi me 9,915 milje katrore, ndërsa Maqedonia e Veriut është e 145-ta me 9,737 milje katrore. Mali i Zi, në vendin e 157-të, ka 5,193 milje katrore, çka do të thotë se sipërfaqja tokësore e Shqipërisë është pak më shumë se dyfishi i saj.
Në fund të renditjes gjenden mikro-shtetet, ku diferenca me gjigantët e botës bëhet ekstreme. Vatikani është vendi më i vogël në botë për nga sipërfaqja tokësore, ndërsa mes shteteve më të vogla renditen edhe Monako, Nauru, Tuvalu dhe San Marino. Territori i tyre matet vetëm me disa ose disa dhjetëra kilometra katrorë, duke treguar kontrastin e jashtëzakonshëm të hartës globale, nga Rusia që zë 12.6% të tokës së botës, te vende që mund të përshkohen nga njëri skaj në tjetrin brenda një kohe shumë të shkurtër.
Shifrat tregojnë se nocioni i një vendi “të madh” apo “të vogël” ndryshon ndjeshëm në varësi të pikës së krahasimit. Shqipëria zë vetëm një pjesë shumë të vogël të tokës së planetit, por dallimi bëhet shumë më i prekshëm kur vendoset përballë ekstremeve, një Rusi është sa afro 600 Shqipëri, ndërsa e gjithë sipërfaqja tokësore e botës do të ishte sa rreth 4,700 Shqipëri (shiko këtu).

Zyra e Komisionerit zgjeron profilin ndërkombëtar, bëhet pjesë e Koalicionit për Transparencën Proaktive
Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale i është bashkuar zyrtarisht Koalicionit për Transparencën Proaktive, një......
Licencohen 131 MW energji në 8 muaj - Dielli dominon me 122.3 MW, asnjë licencë e re për centralet e erës
Rreth 131 MW kapacitete të reja për prodhimin e energjisë elektrike janë licencuar nga Enti Rregullator i Energjisë gjatë periudhës janar–gusht 2026. Sipas......
Më pak shqiptarë po investojnë në letra qeveritare - AMF: Investimet e individëve në bono e obligacione bien me 13.2%
Shqiptarët po i largohen gjithnjë e më tepër investimit në tituj qeveritarë. Në gjysmën e parë të 2026, individët kanë shfaqur interes më të ulët për blerjen......
Ndryshime në Policinë e Shtetit, emërohen drejtuesit e rinj në tre qarqe
Lëvizje në Elbasan, Berat dhe Korçë, disa drejtues transferohen në Drejtorinë e Përgjithshme Policia e Shtetit ka bërë ndryshime në strukturat drejtuese në......
Tregu kërkon inxhinierë dhe ekonomistë - Te të pakualifikuarit, kamarierët domosdoshmëri për bizneset
Tregu i punës vijon të shfaqë kërkesë për një gamë të gjerë profilesh profesionale. Të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive tregojnë se......
Sa është fatura e rikthimit në shkollë? - Deri në 27 mijë lekë për çantën, kancelaritë, veshje dhe këpucë
Pak ditë përpara nisjes së vitit të ri shkollor, prindërit po përballen me faturën e përgatitjes së fëmijëve. Për vitin shkollor 2026–2027, nxënësit e......
Shqipëria i hap rrugë mbarështimit racor - Kritere të forta për importin dhe tregtimin. Gjoba deri në 5 mijë euro
Në një kohë kur blegtoria paraqet rënie të vazhdueshme si në prodhimin e qumështit ashtu edhe në rënien e krerëve, Shqipëria do të ketë një kuadër të plotë......
BE-ja kërkon fundin e vetos në politikën e jashtme - 11 vende anëtare kërkojnë kalimin nga unanimiteti në shumicën e kualifikuar
Një grup prej 11 vendesh të Bashkimit Europian po kërkon reformimin e mënyrës se si blloku merr vendime për politikën e jashtme, duke propozuar kufizimin e......

