FunData Postuar më 12 Gusht 2026, 11:53

Cili qark mori më shumë kredi për shtëpi në 2026? Tirana mban rekordin e huave për banesa, Korça e para për rritjen

Nga Xhorxhina Deda

Cili qark mori më shumë kredi për shtëpi në 2026?

Kreditë për blerjen e banesave vijojnë të zgjerohen, me Tiranën që mban dukshëm peshën kryesore të financimit për shtëpi. Të dhënat e "Bankës së Shqipërisë" tregojnë se në fund të tremujorit të dytë të vitit 2026, stoku i kredisë për banesa në Tiranë arriti në 192.3 miliardë lekë, nga 169.6 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Brenda një viti, vlera u rrit me rreth 22.7 miliardë lekë, ose 13.4%.

Pas kryeqytetit, por me një diferencë të konsiderueshme, renditet Durrësi. Në fund të qershorit, stoku i kredive për blerje banese arriti në 15.7 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 11.3%. Vlora renditet më pas me 6.4 miliardë lekë, ndërsa Fieri dhe Elbasani regjistruan përkatësisht 5.8 dhe 5.6 miliardë lekë.

Megjithatë, rritjen më të fortë vjetore mes rretheve të veçuara e shënoi Korça. Stoku i kredive për banesa u rrit me 19.1%, nga 3.1 miliardë lekë në tremujorin e dytë të vitit 2025 në rreth 3.7 miliardë lekë një vit më pas.

Pas Korçës, Tirana shënoi rritjen e dytë më të lartë krahasuar me një vit më parë, pasuar nga Durrësi. Ndërkohë në Elbasan kredia për shtëpi me 11%. Edhe Fieri regjistroi një rritje të konsiderueshme prej 9.8%, ndërsa në Vlorë kredia për banesa u shtua me 8.1%.

Rritje u regjistrua edhe në Shkodër dhe Lezhë, por me ritme më të ngadalta. Në Shkodër stoku arriti në 4.8 miliardë lekë, 4.2% më shumë në bazë vjetore, ndërsa në Lezhë u ngjit në 3.5 miliardë lekë, me një rritje prej 4.7%.

Të dhënat tregojnë se kredia për blerjen e një shtëpie është rritur në të gjitha rrethet e listuara, megjithëse ritmi ndryshon ndjeshëm nga një zonë në tjetrën. Tirana vazhdon të dominojë me diferencë të madhe, ndërsa Korça spikat për ritmin më të shpejtë të rritjes gjatë vitit të fundit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat