FunData Postuar më 20 Nëntor 2025, 12:15

Cili aplikacion u ble më shumë nga shqiptarët? Kryesojnë lojërat digjitale dhe programet profesionale

Nga Eldiona Serani

Cili aplikacion u ble më shumë nga shqiptarët? Kryesojnë

Aplikacionet që përdorim çdo ditë pasqyrojnë qartë tendencat digjitale dhe mënyrën si lidhemi me teknologjinë. Edhe në Shqipëri, përdoruesit e pajisjeve të ndryshme nga Google Play, iOS, Amazon apo Mac zgjedhin programe që u shërbejnë nevojave të përditshme, ku një pjesë janë falas dhe një pjesë tjetër me pagesë.

 Sipas të dhënave më të fundit nga App Figures, për përdoruesit e iOS vërehet se ndër aplikacionet më të shkarkuara kryesojnë ato bankare, ChatGPT, Temu, Threads dhe Wolt, duke treguar se shqiptarët po orientohen gjithnjë e më shumë drejt shërbimeve financiare digjitale, platformave të komunikimit dhe tregtisë online. Megjithatë, kur vjen puna te aplikacionet me pagesë, përdoruesit e iPhone mbeten të përqendruar kryesisht vetëm te lojërat, ku Minecraft vazhdon të dominojë bindshëm si zgjedhja kryesore.

Nga ana tjetër, përdoruesit e Google Play pasqyrojnë një tendencë të ngjashme, por me një fokus edhe më të theksuar tek inteligjenca artificiale, e cila mban vendin e parë në listën e shkarkimeve, e pasuar nga Temu dhe programet bankare. Në kategorinë e aplikacioneve me pagesë, situata mbetet e njëjtë si te iOS, me Minecraft që vijon të jetë aplikacioni më i blerë, duke treguar popullaritetin e qëndrueshëm të lojërave klasike në tregun shqiptar.

Ndryshimet bëhen më të dukshme te përdoruesit e pajisjeve Mac, të cilët zakonisht i përdorin këto kompjutera për punë dhe produktivitet. Në krye të listës së shkarkimeve falas qëndrojnë WhatsApp Messenger dhe Word, ndërsa vendin e tretë e zë Canva, një mjet i preferuar për dizajn grafik, e pasuar nga Mail for Gmail, që tregon qartë orientimin profesional të përdoruesve të Mac.

Për aplikacionet me pagesë, në vend të parë renditet Dark Reader for Safari, një mjet shumë i kërkuar që aktivizon modalitetin e errët në faqet e internetit dhe siguron një eksperiencë më të rehatshme për sytë gjatë shfletimit. Në vijim, Dental Professional shfaqet si një aplikacion edukativ i specializuar, i cili u ofron studentëve dhe profesionistëve të stomatologjisë modele 3D të detajuara të dhëmbëve. Këto të dhëna tregojnë qartë se, pavarësisht pajisjes, përdoruesit shqiptarë kërkojnë aplikacione praktike, të dobishme dhe në hap me zhvillimet teknologjike globale.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat