Scan Intel Postuar më 17 Dhjetor 2025, 11:07

Çfarë po i pengon bizneset shqiptare të përparojnë? Barometri i Ballkanit: Taksat dhe ekonomia informale, në krye të listës

Nga Eldiona Serani

Çfarë po i pengon bizneset shqiptare të përparojnë?

Barometri i Ballkanit ka publikuar së fundmi disa të dhëna mbi situatën e bizneseve në Shqipëri dhe në rajon. Për këtë studim, anketa për botimin e vitit 2025 është kryer me 1,216 kompani në të gjitha ekonomitë e Ballkanit Perëndimor. Një nga indikatorët kryesorë analizon pengesat me të cilat përballen bizneset në përpjekjet e tyre për rritje dhe zhvillim të mëtejshëm.

Një ndër faktorët që pengon avancimin e bizneseve janë taksat e larta dhe, në disa raste, të paparashikueshme. Nëse flasim për situatën në Shqipëri, rezulton se 7.2% e bizneseve nuk po arrijnë të përparojnë për shkak të këtij problemi, një shifër e barabartë me mesataren rajonale. Ndërkohë, problemi i taksave paraqitet më i theksuar në Malin e Zi, ku 8.6% e bizneseve raportojnë vështirësi në këtë drejtim.

Një tjetër faktor pengues është infrastruktura publike e pazhvilluar, si për shembull cilësia e rrjetit të transportit. Mesatarja rajonale për këtë tregues është 6.1%, ndërsa në Shqipëri infrastruktura përbën problem për 5.9% të bizneseve të anketuara.

Sa i përket administratës dhe institucioneve publike joefikase, të dhënat e Barometrit të Ballkanit tregojnë se 6.3% e bizneseve shqiptare e konsiderojnë këtë faktor si pengesë për zhvillimin e tyre, shifër që përkon me mesataren rajonale.

Gjithashtu, paqëndrueshmëria politike mbetet një tjetër problem me të cilin përballen bizneset. Në nivel rajonal, mesatarja për këtë tregues është 6.2%, ndërsa në Shqipëri vetëm 5.5% e bizneseve të anketuara e shohin këtë si një pengesë. Përqindja më e lartë në rajon regjistrohet në Bosnje & Hercegovinë, ku situata politike duket se ka një ndikim të ndjeshëm në ecurinë e bizneseve.

Një nga problematikat më të fundit sociale në Shqipëri është emigracioni i moshave të reja, i cili natyrshëm sjell mungesë të fuqisë punëtore. Sipas të dhënave të Barometrit të Ballkanit, 6.8% e bizneseve e konsiderojnë këtë fenomen si një pengesë të madhe, një shifër sërish në nivelin e mesatares rajonale.

Nga ana tjetër, problematika më e madhe për bizneset shqiptare mbetet ekonomia informale dhe konkurrenca e padrejtë. Për këtë faktor, 7.6% e bizneseve shprehen se përbën një problem të konsiderueshëm, duke tejkaluar mesataren rajonale prej 7.1%.

Ndërkohë, krimi në shoqëri, si dhe licencimi dhe lejet e biznesit, përbëjnë problem vetëm për 5.5% të bizneseve të pyetura, duke u renditur nën mesataren e vendeve të tjera të rajonit. Në përfundim, rezulton se taksat e larta, informaliteti në ekonomi dhe konkurrenca e padrejtë vijojnë të mbeten problemet kryesore me të cilat përballen bizneset shqiptare.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat