Analiza Postuar më 11 Maj 2025, 22:01

Zgjedhjet e vitit 2025 shënojnë interes më të ulët/ Deri në orën 19:00 pjesëmarrja në rang kombëtar vlerësohet në 42.16%

Nga Scan TV

Zgjedhjet e vitit 2025 shënojnë interes më të ulët/

Pjesëmarrja zyrtare në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 deri në orën 19:00 është ndjeshëm më e ulët se ajo e katër viteve më parë. Në rang kombëtar, në vitin 2025 ajo regjistrohet në 42.16%, ndërkohë që në vitin 2021 ishte 47.94% në të njëjtën orë, një rënie prej 5.78 pikë përqindje. Kjo tregon një entuziazëm më të ulët për të votuar, por gjithësesi lidhet edhe me faktorë të tjerë

Tirana, që tradicionalisht ka pasur një pjesëmarrje të lartë, ka shënuar rënie me rreth 6 pikë përqindje, nga 54.32% në 2021 në 48.7% në 2025, duke ruajtur gjithsesi pozicionin si qarku me pjesëmarrjen më të lartë. Ndërkohë, Dibra ka një rënie më të moderuar, nga 52.95% në 50.1%, duke mbetur ndër qarqet më aktive në pjesëmarrje.

Elbasani përfaqëson një nga rëniet më të forta, nga 49.44% në 2021, në vetëm 42.1% në 2025, një diferencë prej mbi 7 pikë përqindje, që e zhvendos qarkun nga pjesa e sipërme e tabelës në një pozicion më mesatar.

Në qarqet jugore, si Gjirokastra dhe Vlora, rënia është gjithashtu e ndjeshme. Gjirokastra bie nga 42.92% në 39.2%, ndërsa Vlora mbetet sërish qarku me pjesëmarrjen më të ulët në vend, me vetëm 34.05% në 2021, dhe 31.4% në 2025.

Ndërkohë, Kukësi, i cili kishte 48.47% pjesëmarrje në 2021, ruan një pozicion të lartë edhe këtë vit, me 46.1%, duke pasqyruar një qëndrueshmëri relative në mobilizimin e votuesve. E ngjashme është edhe situata në Fier dhe Korçë, ku pjesëmarrja ka rënë me rreth 2-3 pikë përqindje, por jo në mënyrë dramatike.

Shkodra dhe Durrësi gjithashtu shfaqin rënie, nga 41.80% dhe 43.34% në 2021, në 36.7% dhe 40.5% respektivisht në vitin 2025. Kjo tregon një prirje më të gjerë drejt rënies në qarqet kryesore të vendit.

Rënia e angazhimit qytetar në procesin zgjedhor është e shpërndarë në të gjithë territorin, me përjashtime të vogla si Dibra dhe Kukësi. Shkaqet e kësaj rënieje mbeten për t'u analizuar më thellë, duke përfshirë rolin e politikës, besimit te institucionet, apo edhe lodhjen nga procesi zgjedhor.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat