Analiza Postuar më 3 Korrik 2025, 14:17

Vlora dhe Saranda “boom” me hotele e njësi akomodimi/ Ja sa vendqëndrime ofron Shqipëria për turistët e huaj dhe vendas

Nga Eldiona Serani

Vlora dhe Saranda “boom” me hotele e njësi akomodimi/ Ja sa

Shqipëria është kthyer në një destinacion turistik gjatë viteve të fundit, duke sjellë bizneseve dhe ekonomisë një rritje të jashtëzakonshme. Një nga bizneset që përfiton më së shumti nga “boomi” i turizmit janë hotelet. Mirëpo, sa kapacitet për qëndrimin ofron Shqipëria në lidhje me pritjen e turistëve?

Sipas të dhënave nga faqja e rezervimeve “Agoda”,e cila është pjesë e Booking Holdings tregohet sa hotele dhe njësi akomodimi në Shqipëri janë listuar në këtë faqe për akomodime turistike.

Qyteti me numrin më të lartë të hoteleve dhe njësive akomoduese është Saranda, me plot 2,854 të tilla, por shumë pranë këtij numri është edhe qyteti i Vlorës, me 2,853 të tilla. Këto qytete kanë numrin më të madh të hoteleve e njësive të akomodimit pasi janë zona turistike bregdetare, ku numri i turistëve është shumë i shtuar.

Pas tyre, numrin më të lartë të njësive akomoduese përfshirë edhe hotelet e mban Tirana, me 2,390 të tilla, megjithëse ky numër është më i ulët sesa në qytetet bregdetare. Kjo mund të shpjegohet me faktin se në Tiranë turistët preferojnë gjithashtu apartamentet me qira ditore. Ndërkohë, edhe qyteti i Durrësit ruan një numër të lartë dhomash për pushime, me gjithsej 1,506 hotelee njësi të tjera. Në qytetet më të mëdha si Tirana dhe Durrësi, diversiteti i akomodimeve ndihmon në përballimin e kërkesës së lartë, ndërsa në destinacionet më të vogla kapaciteti mbetet më i kufizuar, duke krijuar nevojën për investime të mëtejshme në infrastrukturën turistike.

Si paraqitet situata në qytetet e tjera? Shkodra, edhe pse nuk është një qytet bregdetar, ka një numër të konsiderueshëm hotelesh, duke ofruar për turistët shqiptarë dhe të huaj 406 hotele e vila pushimi.Turizmi në rritje në Berat ka bërë që edhe ky qytet të ofrojë plot 256 oferta për akomodimin e pushuesve.

Pogradeci dhe Korça gjithashtu kanë mundësi të mira për të ofruar vend akomodimi, me përkatësisht 225 dhe 256 hotele e njësi të tjera për pushim. Dhe së fundmi, Gjirokastra, një destinacion shumë i kërkuar, ofron për turizmin 266 hotele për të shijuar pushimet. Variacionet ndryshojnë sipas çmimeve dhe afërsisë me zonat turistike.  Ndërkohë kapaciteti i rezervimeve është i larmishëm dhe arrin mbi 24,000 opsione në Booking Holdings, duke përfshirë hotele, apartamente dhe vila. Ky diversitet ndihmon në përballimin e kërkesës së lartë, sidomos gjatë sezonit turistik.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat