Analiza Postuar më 17 Prill 2026, 11:59

Vizitorët në strukturat akomoduese, rritje me 9.7%/ Italia vijon të mbetet burimi kryesor i turistëve

Nga Eldiona Serani

Vizitorët në strukturat akomoduese, rritje me 9.7%/ Italia vijon

Gjatë muajit shkurt në Shqipëri qëndruan në strukturat akomoduese rreth 156 mijë vizitorë, duke shënuar një rritje prej 9.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sa i përket ndarjes sipas llojit, rezulton se  numri I vizitorëve rezident u rrit me 10.6%, ndërsa vizitorët jorezidentë shënuan një rritje prej 9.1%. Për këtë muaj, shumica e turistëve kanë preferuar zonat jo bregdetare, kryesisht për shkak të kushteve më të favorshme klimatike në zonat malore gjatë sezonit dimëror.

Sa i përket shpërndarjes rajonale, rajoni qendror rezulton më i vizituari, me rreth 52 mijë turistë të akomoduar në struktura. Rajoni verior renditet i dyti me afro 21 mijë turistë, ndërsa jugu rezulton të ketë qenë rajoni më pak i vizituar gjatë kësaj periudhe. Në lidhje me netëqëndrimet, ato u rritën me 3.6% në total. Duke analizuar sipas llojit të vizitorëve, rezulton se vizitorët rezidentë kanë realizuar më shumë netëqëndrime sesa ata jorezidentë. Konkretisht, për rezidentët ka një rritje prej 5.3%, ndërsa për jorezidentët rritja është 2.7%.

Nëse shqyrtojmë origjinën e vizitorëve të huaj, Italia rezulton të jetë vendi kryesor nga ku vijnë më shumë turistë, duke përbërë rreth 30% të totalit për muajin shkurt. Në vend të dytë renditet Kosova me 15%, ndërsa në vend të tretë turistët nga Mbretëria e Bashkuar me 7%. Vizitorët nga Gjermania dhe Franca përbëjnë përkatësisht 5% dhe 4%, ndërsa pjesa tjetër, prej 39%, i përket vizitorëve nga vende të tjera.

Ndërkohë, norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti në 16.7%, nga 16% që ishte në shkurt të vitit 2025, duke reflektuar një rritje të lehtë të kërkesës në sektorin e akomodimit. Ky trend pozitiv sugjeron një fillim të qëndrueshëm të vitit për turizmin në vend, pavarësisht se bëhet fjalë për një periudhë jashtë sezonit veror.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat