Analiza Postuar më 12 Shkurt 2025, 11:07

Vijon tendenca rënëse e bonove 12-mujore/ Në ankandin e fundit të shkurtit norma e interesit zbriti në 2.79%

Nga Armela Duka

Vijon tendenca rënëse e bonove 12-mujore/  Në ankandin e fundit

Yield-i i bonove të thesarit me maturim 12-mujor ka shënuar një rënie të lehtë në ankandin e fundit. Yield-i mesatar i ponderuar u regjistrua në 2.79%, nga 2.81% që ishte në ankandin e zhvilluar në fund të muajit janar.

Diferenca mes kërkesës dhe ofertës mbeti e kufizuar edhe në këtë ankand. Ministria e Financave shpalli një emetim prej 12.5 miliardë lekësh, nga të cilat 3.48 miliardë lekë i takuan Bankës së Shqipërisë. Ndërkohë, kërkesat totale të investitorëve arritën në 13.01 miliardë lekë.

Të dhënat e ankandeve të fundit tregojnë një luhatje të vogël të yield-eve, duke reflektuar një treg të stabilizuar. Në dhjetor të vitit të kaluar, yield-i i bonove 12-mujore zbriti nën normën bazë të interesit, duke arritur në 2.76%, çka tregon besimin e investitorëve në stabilitetin fiskal të vendit. Faktori kryesor që mund të ketë ndikuar në rënie  është raporti kërkesë-ofertë, i cili ka mbetur brenda një intervali të ngushtë.

Nëse analizën e shtrijmë në shkurtin e vitit të kaluar, shifrat tregojnë se në ankandin e zhvilluar gjatë dy javëve të para të këtij muaji, yield-i i bonove 12-mujore arriti në 3.63%, duke shënuar një ulje të ndjeshme të kostos së huamarrjes për qeverinë. Megjithatë, gjatë muajve në vijim, normat kanë vijuar të luhaten vazhdimisht, duke reflektuar dinamika të ndryshme në tregun e borxhit.

Yield-et e ulëta të titujve të qeverisë, veçanërisht ato të bonove 12-mujore, kanë luajtur një rol kyç në uljen e kostos së huasë për sektorin privat duke mbështetur paralelisht rritjen e shpejtë të tij ashtu siç konfirmohet edhe nga të dhënat zyrtare për vitin e kaluar.

 

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat