Analiza Postuar më 6 Korrik 2026, 09:55

Vezët “udhëhoqën” rritjen e çmimeve në bujqësi në 2025/ Rritje edhe për frutat, agrumet dhe ullinjtë. Patatet dhe shpendët, më lirë

Nga Xhorxhina Deda

Vezët “udhëhoqën” rritjen e çmimeve në

Çmimet e prodhimeve bujqësore në vend u rritën mesatarisht me 1% gjatë vitit 2025, krahasuar me një vit më parë. Sipas të dhënave të INSTAT, rritja është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i disa produkteve blegtorale dhe kulturave drufrutore, ndërsa një pjesë e produkteve bujqësore kanë regjistruar ulje çmimesh.

Prodhimet bimore shënuan një rritje mesatare prej 1.4%, ndërsa ato blegtorale u rritën me 0.5%. Brenda sektorit bimor, rritjen më të lartë e regjistruan prodhimet e drufrutorëve, me 4.7%, të mbështetura nga shtrenjtimi i agrumeve me 6.4%, ullinjve me 6.3%, frutave me 5.3% dhe rrushit me 3.1%. Në të njëjtën kohë, çmimi i verës u rrit me 5.8%, ndërsa ai i vajit të ullirit me 4.1%.

Në sektorin e blegtorisë, rritjen më të fortë e shënuan vezët, çmimi i të cilave u rrit me 8.5% në krahasim me vitin 2024. Edhe grupi i produkteve të tjera blegtorale u shtrenjtua me 5.2%, ndërsa mjalti u rrit me 2.2%. Rritje pati edhe çmimi i mishit të gjedhit me 2.3% dhe i të imtave me 2%.

Nga ana tjetër, disa produkte u shitën më lirë se një vit më parë. Rënien më të madhe e shënuan patatet, me 5.6%, të ndjekura nga shpendët me 3.7%, ndërsa çmimi i qumështit të tjerë ra me 2.7%. Në rënie ishte edhe çmimi i qumështit në tërësi me 1%, si dhe ai i bimëve foragjere me 1.2%.

Të dhënat tregojnë se, megjithëse rritja mesatare e çmimeve në bujqësi mbeti e kufizuar gjatë vitit 2025, zhvillimet ndryshojnë ndjeshëm mes produkteve. Shtrenjtimi është përqendruar kryesisht te vezët dhe prodhimet drufrutore, ndërsa një pjesë e produkteve bazë, si patatet, shpendët dhe qumështi, kanë ndjekur prirje rënëse.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat