Analiza Postuar më 7 Korrik 2026, 11:58

Vetëpunësimi rritet lehtë në 2025/ Meshkujt dhe moshat e mëdha mbajnë numrin më të lartë

Nga Scan TV

Vetëpunësimi rritet lehtë në 2025/ Meshkujt dhe moshat e

Vetëpunësimi vijon të zërë një peshë të rëndësishme në tregun e punës në Shqipëri. Sipas të dhënave për vitin 2025, 30.9% e të punësuarve ishin të vetëpunësuar në punësimin gjithsej, duke shënuar një rritje të lehtë krahasuar me 30.1% një vit më parë.

Të dhënat tregojnë se burrat mbeten shumë më të prirur drejt vetëpunësimit sesa gratë. Gjatë vitit 2025, 39.5% e meshkujve të punësuar ishin të vetëpunësuar, ndërsa kjo përqindje ishte vetëm 20.4% te gratë. Krahasuar me vitin 2024, pjesa e meshkujve të vetëpunësuar është rritur, ndërsa te gratë ka pësuar një rënie të lehtë.

Mosha është një tjetër faktor që ndikon ndjeshëm. Vetëpunësimi është më pak i përhapur te të rinjtë 15-24 vjeç,. Përqindja rritet gradualisht me kalimin e viteve, duke arritur në 44.5% për grupmoshën 65 vjeç e lart. Edhe grupmoshat 55-64 vjeç paraqesin një nivel të lartë vetëpunësimi, me 37.5%.

Arsimi luan gjithashtu një rol të rëndësishëm. Personat me arsim 8/9-vjeçar kanë nivelin më të lartë të vetëpunësimit, ku 38.2% e tyre punonin për llogari të vet në vitin 2025. Ata ndiqen nga të punësuarit me arsim të mesëm, me 33.9%, ndërsa përqindja bie ndjeshëm te personat me arsim të lartë, ku vetëm 13.5% janë të vetëpunësuar.

Brenda grupit me arsim të lartë, vetëpunësimi mbetet më i përhapur te meshkujt. Në vitin 2025, 21.4% e burrave me arsim të lartë ishin të vetëpunësuar, kundrejt vetëm 7.1% të grave me të njëjtin nivel arsimor.

Në të gjitha nivelet e arsimit vihet re se vetëpunësimi rritet me moshën. Të dhënat sugjerojnë se vetëpunësimi është më i zakonshëm te grupet me arsim më të ulët dhe te moshat më të mëdha, ndërsa personat me arsim të lartë orientohen më shpesh drejt punësimit me pagë. Në të njëjtën kohë, diferenca mes gjinive mbetet e theksuar, duke treguar se burrat vijojnë të dominojnë në aktivitetet e vetëpunësimit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat