Analiza Postuar më 8 Janar 2026, 11:13

Ushqimet për fëmijë, inflacioni në Shqipëri mbi Europën/ Familjet përballen me rritje çmimesh për produkte të domosdoshme

Nga Xhorxhina Deda

Ushqimet për fëmijë, inflacioni në Shqipëri mbi

Rritja e një fëmije në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më e kushtueshme, ndërsa një nga zërat më bazikë të shpenzimeve, ushqimet për fëmijë, ka shënuar rritje të ndjeshme çmimesh gjatë vitit 2025.

Sipas të dhënave të Eurostat për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, inflacioni mesatar vjetor për ushqimet për fëmijë në Shqipëri, për periudhën Janar-Nëntor 2025, ka qenë rreth 3.1%. Në të njëjtën periudhë, mesatarja e Bashkimit Europian ka qenë rreth 1.2%, çka do të thotë se çmimet në Shqipëri janë rritur më shumë se dyfish krahasuar me BE-në.

Ushqimet për bebe përbëjnë një shpenzim të domosdoshëm dhe të pandryshueshëm për familjet me fëmijë të vegjël. Ndryshe nga produkte të tjera të konsumit, këto produkte nuk mund të zëvendësohen lehtësisht apo të hiqen nga shporta mujore, duke e bërë çdo rritje çmimi një barrë direkte për buxhetet familjare.

Të dhënat tregojnë se presioni mbi çmimet u rrit ndjeshëm gjatë pranverës. Në muajt Prill, Maj dhe Qershor 2025, inflacioni për këtë kategori arriti në nivele rreth 5%, duke reflektuar një përshpejtim të kostove për familjet me fëmijë. Edhe pse në muajt pasues ritmet u ngadalësuan disi, çmimet mbetën në nivele më të larta se në fillim të vitit.

Në nivel europian, rritjet më të forta të çmimeve për ushqimet për fëmijë gjatë vitit 2025 u regjistruan kryesisht në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore. Sipas të dhënave të Eurostat, Kosova shënoi normat më të larta, me 7.7%, e ndjekur nga Hungaria, Malta, Sllovenia dhe Letonia, ku inflacioni për këtë kategori u luhat mes 4% dhe 6%. Në kontrast, një pjesë e vendeve të Europës Perëndimore, si Franca, Belgjika, Danimarka dhe Finlanda, shënuan inflacion negativ ose rritje shumë të ulëta, duke reflektuar stabilitet më të madh të çmimeve për këtë kategori thelbësore.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat