Analiza Postuar më 6 Tetor 2025, 16:13

Ushqimet, barra kryesore e buxhetit familjar/ Rritje e ndjeshme për mobilim, transport dhe akomodim

Nga Xhorxhina Deda

Ushqimet, barra kryesore e buxhetit familjar/ Rritje e ndjeshme për

Në vitin 2024, shpenzimet mesatare mujore për konsum të një njësie ekonomike familjare (NjEF), e përbërë mesatarisht nga 3.1 persona, arritën në 93,042 lekë, duke shënuar një rritje prej 1.5% krahasuar me vitin 2023. Në total, shpenzimet mujore të familjeve shqiptare për konsum llogariten në rreth 70.4 miliardë lekë, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT.

Edhe në vitin 2024, grupi “ushqime dhe pije jo-alkoolike” zë peshën më të madhe në strukturën e shpenzimeve mujore, me 39.6% të buxhetit dhe një vlerë mesatare prej 36,879 lekësh. Brenda këtij grupi, shpenzimet më të larta janë për perime (19.4%), mish dhe nënprodukte (18.9%) dhe bukë e drithëra (15.4%), një tregues që konfirmon se pjesa më e madhe e të ardhurave familjare vijon të përqendrohet në nevojat bazë të jetesës.

Grupi me rritjen më të lartë të shpenzimeve mujore është “mobilim, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje e banesës”, me 5.7% më shumë se në vitin 2023. Kjo rritje lidhet kryesisht me blerjet e pajisjeve të vogla shtëpiake si aparate kafeje, thekëse buke apo ngrohës uji, si dhe me riparime të ndryshme në banesë. Pas këtij grupi, rritje të dukshme kanë pasur edhe transporti (+5.2%) dhe veshjet e këpucët (+4.4%), duke reflektuar si ndikimin e çmimeve ashtu edhe ndryshimin e zakoneve të konsumit.

Në grupin “restorante dhe hotele”, shpenzimet janë rritur me 4.1%, kryesisht për shkak të rritjes së kostove të akomodimit dhe shërbimeve të strehimit. Mesatarisht, familjet shqiptare shpenzojnë 7,031 lekë në muaj për këtë kategori, që përbën 7.6% të buxhetit total, një tregues që lidhet si me rritjen e turizmit të brendshëm, ashtu edhe me ndryshimin e mënyrës së konsumit pas pandemisë.

Të dhënat tregojnë një rënie të lehtë të peshës së shpenzimeve për shëndet dhe arsim. Kjo tregon se familjet shqiptare janë ende të përqendruara më shumë në shpenzimet e domosdoshme sesa në ato për zhvillim personal ose kulturor. Ndërkohë, shpenzimet për argëtim dhe kulturë mbeten të pandryshuara me një peshë në strukturë prej 2.6%.

Ndryshimet rajonale në nivel shpenzimesh janë të dukshme. Tirana kryeson bindshëm me një mesatare mujore prej 108,588 lekësh, shumë më lart se mesatarja kombëtare. Pas saj renditen Korça me 91,418 lekë dhe Durrësi me 90,218 lekë. Në anën tjetër të spektrit ndodhen Kukësi me 75,048 lekë dhe Dibra me 75,883 lekë, qarqe ku familjet shpenzojnë rreth 30% më pak se në kryeqytet, duke reflektuar dallime të forta ekonomike dhe sociale ndërmjet rajoneve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat