Analiza Postuar më 7 Shtator 2026, 10:21

Turizmi, sektor i rëndësishëm për bankat/ Akomodimi përfaqëson 10.3% të portofolit të kredisë së bizneseve

Nga Xhorxhina Deda

Turizmi, sektor i rëndësishëm për bankat/ Akomodimi

Kredia për sektorin e lidhur me turizmin po merr hov, duke reflektuar zgjerimin e investimeve në akomodim dhe shërbime ushqimore. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2026 bizneset e këtij sektori morën 14.85 miliardë lekë kredi të reja, nga rreth 9 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Brenda një viti, financimi i ri është rritur me rreth 65.6%, një ritëm dukshëm më i lartë se rritja prej 14.3% e kredisë së re për bizneset në tërësi.

Edhe pesha e sektorit në kreditimin e biznesit është rritur ndjeshëm. Në janar-korrik 2026, akomodimi dhe shërbimi ushqimor morën rreth 8.6% të gjithë kredisë së re për bizneset, nga vetëm 5.9% që përfaqësonin një vit më parë.

Rritja shihet edhe te portofoli i përgjithshëm i huave. Në fund të korrikut, stoku i kredisë për akomodimin dhe shërbimin ushqimor arriti në 55.7 miliardë lekë, nga 50.2 miliardë lekë në korrik 2025, ose rreth 11% më shumë.

Ky sektor përfaqëson tashmë rreth 10.3% të gjithë portofolit të kredisë së bizneseve, çka do të thotë se afërsisht 1 në çdo 10 lekë të kredisë së mbetur për biznesin lidhet me aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor.

Në një horizont më të gjatë, zgjerimi është edhe më i dukshëm. Në korrik 2019, portofoli i kredisë për këtë sektor ishte rreth 14.9 miliardë lekë, ndërsa shtatë vjet më vonë ka arritur në 55.7 miliardë lekë, pra është rritur afërsisht 3.7 herë.

Të dhënat tregojnë se sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor po fiton gjithnjë e më shumë peshë në huadhënien bankare, ndërsa rritja e fortë e kredisë së re sinjalizon vijimin e investimeve dhe nevojave për financim në aktivitetet e lidhura drejtpërdrejt me turizmin.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat