Analiza Postuar më 25 August 2026, 12:13

Turizmi ndryshon gjeografi/ Fqinjët “braktisin” Shqipërinë në sezon. Malajzia dhe India me rritje të fortë

Nga Xhorxhina Deda

Turizmi ndryshon gjeografi/ Fqinjët “braktisin”

Sezoni veror i këtij viti ka sjellë një panoramë interesante sa i perket hyrjeve nga shtetasit e huaj në Shqipëri. Scan Intel ka marrë në analizë hyrjet për muajin maj, qershor dhe korrik, një periudhë që përkon me nisjen dhe intensifikimin e sezonit veror. Publikimi i të dhënave të korrikut mundëson tashmë një lexim më të plotë të tendencës, duke shmangur përfundimet që mund të japë vetëm një muaj i veçuar.

Në pamje të parë, shifrat tregojnë se gjatë periudhës Maj-Korrik 2026 janë regjistruar rreth 4.45 milionë hyrje, ose 7.3% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Por pas rritjes së totalit fshihet një ndryshim i rëndësishëm në origjinën e flukseve. Vendet e Ballkanit Perëndimor, që tradicionalisht kanë qenë ndër burimet kryesore të hyrjeve drejt Shqipërisë, po humbasin terren.

Sa i përket rajonit, rënien më të fortë e regjistroi Serbia, me 17.4%, e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina me 12%. Nga Maqedonia e Veriut hyrjet ranë me 5.5%, ndërsa nga Kosova me 3.4%. Kosova vijon të ketë volumin më të madh, me rreth 1.43 milionë hyrje në tre muaj, por numëroi afro 50 mijë hyrje më pak se një vit më parë.

Mali i Zi ishte përjashtimi në rajon, me një rritje prej 2.7%, nga 218 mijë në 224 mijë hyrje.

Rënia e rajonit bëhet edhe më e dukshme kur shihet pesha e tij në total. Në periudhën Maj-Korrik 2025, pesë tregjet e Ballkanit Perëndimor jepnin rreth 50.1% të të gjitha hyrjeve të huaja. Këtë vit pesha ka zbritur në rreth 45.1%.

Ndërkohë, nisur nga të gjitha vendet e marra në analizë, dy vendet me rënien më të fortë të hyrjeve gjatë periudhës Maj-Korrik ishin Arabia Saudite dhe Kina. Hyrjet nga Arabia Saudite ranë me 23.2%, ndërsa ato nga Kina me 19% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në krahun tjetër, disa tregje kanë shënuar rritje shumë të forta. Në përqindje, në krye qëndron Malajzia, me një rritje prej 408%, nga 1,056 hyrje gjatë Maj-Korrikut 2025 në 5,364 këtë vit. Kjo rritje është përqendruar kryesisht në qershor, kur hyrjet u rritën nga 387 në 4.681.

Pas Malajzisë renditet Lituania, me rritje 114%, ndërsa hyrjet nga India u dyfishuan, me një zgjerim prej 101,5%. Estonia dhe Finlanda shënuan secila rritje prej 73.8%, ndërsa Izraeli u rrit me 57.3% dhe Ukraina me 53.1%.

Edhe të dhënat e korrikut, muaj kyç i sezonit veror, konfirmojnë të njëjtën tendencë. Në total u regjistruan rreth 1.96 milionë hyrje, ose 7.1% më shumë se në korrikun e vitit të kaluar.

Në korrik, Estonia kryesoi rritjen e hyrjeve me 97.3%, e ndjekur nga India me 80.8%, Lituania me 71.3%, Letonia me 63.6%, Finlanda me 59.4% dhe Egjipti me 57.1%.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat