Analiza Postuar më 10 Qershor 2025, 12:33

Turistët e huaj apo shqiptarët, kush shpenzon më shumë? Tremujori i parë sjell rekorde të reja, të ardhurat kapin 874 milionë euro

Nga Xhorxhina Deda

Turistët e huaj apo shqiptarët, kush shpenzon më shumë?

Turizmi në Shqipëri ka vijuar të jetë një burim i rëndësishëm të ardhurash edhe gjatë tre muajve të parë të vitit 2025, duke shënuar një tjetër rekord në krahasim me të njëjtën periudhë të viteve të mëparshme. Sipas të dhënave zyrtare, në tremujorin e parë të këtij viti, turistët e huaj kanë shpenzuar 874.36 milionë euro në Shqipëri, një rritje me afro 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024 dhe 40% më shumë se në të njëjtin tremujor të vitit 2023. Në raport me vitin 2019, para pandemisë, shpenzimet janë më shumë se dyfishuar, çka tregon qartë një ngritje të qëndrueshme të pozicionit të Shqipërisë në hartën turistike.

Në të njëjtën kohë, edhe shpenzimet e shqiptarëve jashtë vendit kanë shënuar një rritje të ndjeshme, duke reflektuar trendin e rritjes së udhëtimeve jashtë për qëllime turistike. Në tremujorin e parë të vitit 2025, qytetarët shqiptarë kanë shpenzuar 579.04 milionë euro jashtë vendit, rreth 11% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe 33% më shumë se në tremujorin e parë të 2023-it. Ky trend i fortë i daljeve jashtë vendit për pushime është bërë gjithnjë e më i dukshëm vit pas viti, duke sjellë një profil të ri të konsumatorit shqiptar që udhëton më shpesh dhe me shpenzime më të larta. Rikujtojmë se në muajt e parë të vitit 2025 daljet e shiptarëve jashtë kanë qenë të shumta, duke tejkaluar edhe hyrjet e turistëve të huaj në vend.

Megjithatë, bilanci neto i turizmit mbetet pozitiv për ekonominë shqiptare. Diferenca midis shpenzimeve të turistëve të huaj në vend dhe atyre të shqiptarëve jashtë ka arritur në 295.32 milionë euro, niveli më i lartë ndonjëherë për një tremujor të parë. Ky bilanc ka ardhur gjithmonë në rritje pas pandemisë, duke reflektuar jo vetëm rritjen e turizmit hyrës, por edhe forcimin e ofertës turistike shqiptare jashtë sezonit veror.

Në këtë kuadër, Shqipëria konfirmohet si një vend që fiton më shumë nga turizmi sesa që shpenzon për të, të paktën në bilancin ekonomik. Ndërkohë që gjithnjë e më shumë shqiptarë po zgjedhin të udhëtojnë jashtë. Nga ana tjetër, vendi po tërheq turistë me profil më të lartë shpenzimesh dhe në periudha më të zgjatura, çka përkthehet në një ndikim pozitiv dhe të shpërndarë në ekonomi.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat