Analiza Postuar më 12 Nëntor 2025, 12:38

Tregu i librit, shifrat surprizojnë! Rreth 3.2 mld lekë importe dhe 200 tituj të rinj të regjistruar në Bibliotekën Kombëtare

Nga Xhorxhina Deda

Tregu i librit, shifrat surprizojnë! Rreth 3.2 mld lekë importe dhe

Në prag të hapjes së Panairit të 28-të të Librit, të dhënat mbi importet e librave, revistave, pikturave, dorëshkrimeve dhe projekteve të ngjashme tregojnë një tablo të qartë që libri është shndërruar prej kohësh në një mall të rëndësishëm ekonomik, përveçse kulturor. Nga viti 2005, kur vlera totale e importeve në këtë kategori ishte rreth 473 milionë lekë, tregu është zgjeruar me ritme të qëndrueshme, duke arritur në mbi 3.2 miliardë lekë në vitin 2024. Vetëm përgjatë periudhës Janar-Shtator të vitit aktual u importuan rreth 1.2 miliardë lekë artikuj.

Në harkun e dy dekadave, lëvizjet kanë qenë të dukshme. Periudha 2005-2013 shënon një rritje të fortë, që pasqyron zgjerimin e tregut të botimeve dhe hapjen e kanaleve të reja të furnizimit ndërkombëtar. Viti 2019 ka qenë ndër më të spikaturit, me afro 3 miliardë lekë importe, një dyfishim i papritur që dëshmon për një bum të ofertës në treg, ndoshta të lidhur me shtimin e botimeve të huaja dhe aktivitetin e shtëpive botuese shqiptare. Pandemia solli një rënie të lehtë në 2020, por tregu u rimëkëmb shpejt, duke mbajtur nivele të larta edhe në vitet në vijim.

Të dhënat e vitit 2024 flasin qartë për përbërjen e këtij tregu dhe burimet e tij. Hollanda rezulton partneri kryesor i Shqipërisë, me një vlerë importesh që kalon 1.5 miliardë lekë, pothuajse gjysma e totalit kombëtar. Ky dominim lidhet më shumë me rolin e Holandës si qendër shpërndarjeje për shumë botime evropiane, sesa me përmbajtje origjinale holandeze. Pas saj vjen Italia me mbi 508 milionë lekë, Mbretëria e Bashkuar me 259 milionë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 232 milionë dhe Greqia me afro 178 milionë lekë. Kina, Gjermania, Franca, Serbia dhe Maqedonia e Veriut zënë pjesë më të vogla, por ruajnë një prani të qëndrueshme.

Ndërkohë, për sa i përket vitit 2025, në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë janë regjistruar gjithsej 207 libra të rinj në gjuhën shqipe. Nga të dhënat rezulton se shumica e këtyre botimeve janë realizuar në Tiranë, plot 168 tituj. Pas Tiranës renditen Prishtina dhe Tetova, duke treguar se edhe trevat shqiptare jashtë kufijve janë mjaft aktive në botimin e librave të rinj. Sa i përket zhanreve, letërsia shqipe zë peshën kryesore me 91 libra të rinj, e ndjekur nga librat me poezi dhe romanet, me përkatësisht 47 dhe 33 botime të reja.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat