Analiza Postuar më 30 Prill 2026, 10:26

Tregtia merr pjesën më të madhe të kredive për biznesin/ Rritja u shty edhe nga turizmi dhe sektorët e shërbimeve në Mars

Nga Scan TV

Tregtia merr pjesën më të madhe të kredive për

Kredia e re për biznesin ka vijuar rritjen edhe në muajin mars 2026, duke konfirmuar se korporatat mbeten një nga shtysat kryesore të zgjerimit të huadhënies në ekonomi. Sipas të dhënave të “Bankës së Shqipërisë”, huaja e re për korporatat jofinanciare private arriti në 27.24 miliardë lekë në mars, nga 25.48 miliardë lekë në të njëjtin muaj të një viti më parë, ose 6.9% më shumë.

Peshën më të madhe në huamarrjen e re e ka mbajtur tregtia me shumicë dhe pakicë, përfshirë riparimin e automjeteve, e cila ka tërhequr 10.3 miliardë lekë kredi gjatë muajit mars. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ky sektor ka shënuar rritje me 48.5%, duke mbetur segmenti kryesor i financimit për biznesin.

Rritje shumë të fortë ka shënuar edhe sektori i energjisë elektrike, furnizimit me gaz dhe avull, ku kredia e re arriti në 2.8 miliardë lekë, ose 354% më shumë në terma vjetorë. Ecuri pozitive ka shfaqur gjithashtu akomodimi dhe shërbimi ushqimor, me 2.17 miliardë lekë dhe rritje 92.2%, si edhe informacioni dhe komunikacioni, që u zgjerua me 116%, duke arritur në 969.8 milionë lekë.

Zgjerim të ndjeshëm kanë shfaqur edhe disa sektorë të shërbimeve. Aktivitetet e pasurive të paluajtshme arritën në 1.01 miliardë lekë, me rritje 63.7%, ndërsa shërbimet administrative dhe mbështetëse u rritën me 123.4%, duke arritur në 562.2 milionë lekë. Po ashtu, aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike u zgjeruan me 230.4%, ndërsa aktivitetet e tjera të shërbimit arritën në 2.06 miliardë lekë, me rritje 66.6%.

Në kahun tjetër, një pjesë e degëve të ekonomisë kanë shfaqur tkurrje të fortë të financimit. Industria përpunuese, që mbetet një sektor i rëndësishëm për ekonominë, regjistroi rënie me 35.6%, duke zbritur në 3.43 miliardë lekë. Tkurrje shumë të fortë shënoi edhe transporti dhe magazinimi, me 88.1% më pak kredi të reja krahasuar me marsin e vitit të kaluar. Rënie të ndjeshme pati edhe në industrinë nxjerrëse, me 96.7%, si dhe në aktivitetet financiare dhe të sigurimit, që u tkurrën me 67.5%.

Në tërësi, të dhënat e muajit mars tregojnë një rritje të moderuar të kredisë për biznesin, të mbështetur kryesisht nga tregtia dhe sektorët e shërbimeve, ndërsa disa degë tradicionale të ekonomisë kanë shfaqur rënie të ndjeshme të financimit krahasuar me një vit më parë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat