Analiza Postuar më 26 Shkurt 2025, 11:27

“Tkurret” yield-i bonove 12-mujore/ Norma fiksohet në 2.77%, por ngadalësohet ritmi i rënies

Nga Armela Duka

“Tkurret” yield-i bonove 12-mujore/ Norma fiksohet në 2.77%,

Në ankandin e fundit të zhvilluar këtë javë për bonot e thesarit me afat maturimi 12- mujor, vihet re një rënie e lehtë e yield-it mesatar në 2.77% nga 2.79%. Bonot e thesarit janë instrumente financiare të emetuara nga shteti për të siguruar fonde nëpërmjet tregut të kapitalit. Afati i tyre i maturimit shpesh varion nga 3 deri në 12 muaj, dhe përdoren për të mbuluar nevojat financiare të shtetit, siç janë mbulimi i deficitit buxhetor, financimi i projekteve të mëdha infrastrukturore ose për menaxhimin e borxhit publik në mënyrë efikase.

Të dhënat tregojnë se interesi për këto bono ka qenë i konsiderueshëm, me një total kërkesash të paraqitura prej 10.18 miliardë lekësh, një shumë e barabartë me atë që u pranua nga autoritetet financiare. Po ashtu, Qeveria shpalli një ofertë prej 12.5 miliardë lekësh për këtë instrument borxhi ku 2.45 miliardë lekë i takonin Bankës së Shqipërisë.

Në terma vjetorë norma mesatare e yield-it të bonove të thesarit 12- mujore ka rënë me 0.86 pikë përqindje pasi në shkurt të vitit 2024 kjo normë regjistrohej në 3.63%. Historiku i të dhënave tregon se, rënia e yield-eve ka qenë e përgjithshme, për të gjitha llojet e maturitetet, ndonëse më e theksuar tek yield-i 12-mujor.

Por si ndikon ulja e yield-it në ekonomi? Në aspektin ekonomik, një ulje e yield-it mesatar të bonove të thesarit nënkupton gjithashtu ulje të kostove të huamarrjes për sektorin privat. Duhet theksuar se këtë vit kreditimi në lekë ka patur një rritje të vazhdueshme, e cila është mbështetur nga normat e ulëta të interesit. Kryesisht, kërkesat për kredi kanë ardhur nga bizneset dhe individët të cilët një pjesë të parave i kanë investuar në pasuri të paluajtshme.

 

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat