Analiza Postuar më 3 Dhjetor 2025, 09:50

Tirana, ndër qytetet më të lira për transport publik/ Londra me kostot më të larta, Ballkani më i përballueshmi

Nga Eldiona Serani

Tirana, ndër qytetet më të lira për transport publik/ Londra

Shqipëria dhe vendet e Ballkanit vazhdojnë të qëndrojnë ndër rajonet me çmimet më të ulëta të transportit publik në Europë, edhe në një kohë kur qytetet më të mëdha europiane po përballen me rritje të ndjeshme të kostove. Sipas të dhënave krahasuese të Numbeo për vitin 2025, Tirana renditet në vendin e 132-të nga 139 qytete, me një çmim mesatar prej vetëm 16 euro në muaj për një abonim të transportit publik. Më lirë se kryeqyteti shqiptar janë vetëm disa qytete të Europës Lindore, përfshirë Prishtinën, Chisinaun dhe Kievin me 9.54 euro.

Edhe në nivel rajonal, çmimet mbeten dukshëm të ulëta. Shkupi ofron një abonim mujor prej 24.35 eurosh, Sarajeva 29.71 euro, Podgorica 30 euro, ndërsa në Athinë çmimi është 29 euro. Një rast i veçantë është Beogradi, ku transporti publik është plotësisht falas. Këto shifra e pozicionojnë Ballkanin si një ndër zonat me transportin publik më të përballueshëm në kontinent, megjithëse kjo shpesh sjell diskutime mbi cilësinë e shërbimit, investimet dhe qëndrueshmërinë e sistemit.

Në krahun tjetër të Europës, kostot janë disa herë më të larta. Londra kryeson listën me një çmim prej 204.83 euro në muaj, ndërsa qytete si Utrecht, Brighton, Copenhagen, Manchester, Amsterdam, Stockholm dhe Paris luhaten nga rreth 88 deri mbi 150 euro për një abonim mujor. Edhe qytete të njohura për cilësinë e lartë të shërbimeve publike, si Zurich, Basel, Bern, Geneva dhe Dublin, kanë çmime që variojnë nga 75 deri në 95 euro.

Krahasimi i këtyre të dhënave nxjerr në pah hendekun e dukshëm ekonomik midis Europës Perëndimore dhe rajonit të Ballkanit. Ndërsa çmimet në Ballkan janë të ulëta dhe të favorshme për qytetarët, ato nuk shoqërohen gjithmonë me nivelin e infrastrukturës moderne apo efikasitetin që karakterizon vendet më të zhvilluara të kontinentit.

Këto çmime të ulëta në Ballkan lidhen shpesh me subvencionet që ofron vetë qeveria, duke bërë që kostoja për përdoruesit të jetë e ulët ose, në disa raste, edhe zero. Një shembull është Luksemburgu, ku transporti publik ofrohet falas që nga viti 2020, ndërsa Beogradi nga 1 janari i vitit 2025. Në këto vende, financimi bëhet nga taksat dhe buxheti i qeverisë, në mënyrë që çdo qytetar të mund të përdorë këtë lloj transporti. Ndërkohë, vendet ku çmimet janë shumë më të larta e shpjegojnë këtë me cilësinë më të mirë të shërbimit dhe infrastrukturën më të zhvilluar të transportit publik si dhe nivelin e jetesës dhe pagat.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat