Analiza Postuar më 10 Shtator 2026, 15:51

Të huajt shpenzuan 2.38 miliardë euro në Shqipëri/ Bilanci neto në gjysmën e parë të vitit arriti në 956 milionë euro

Nga Xhorxhina Deda

Të huajt shpenzuan 2.38 miliardë euro në Shqipëri/ Bilanci

Turizmi ka sjellë më shumë të ardhura në ekonominë shqiptare gjatë gjysmës së parë të vitit 2026. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se të huajt shpenzuan rreth 2.38 miliardë euro në Shqipëri gjatë periudhës Janar-Qershor, nga afro 2.10 miliardë euro në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kjo përkthehet në një rritje vjetore prej rreth 13.4%, ose rreth 282 milionë euro më shumë krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2025.

Vetëm gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, shpenzimet e të huajve në Shqipëri arritën në 1.38 miliardë euro, kundrejt rreth 1.22 miliardë eurove në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Rritja vjetore për këtë tremujor rezulton rreth 12.5%.

Por paralelisht me rritjen e të ardhurave nga vizitorët e huaj, janë shtuar edhe shpenzimet e shqiptarëve për udhëtime jashtë vendit. Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026, shqiptarët shpenzuan jashtë rreth 1.42 miliardë euro, nga rreth 1.30 miliardë euro një vit më parë, ose 9.5% më shumë.

Vetëm në tremujorin e dytë, shpenzimet e shqiptarëve jashtë vendit arritën në rreth 783 milionë euro, krahasuar me rreth 721 milionë euro në tremujorin e dytë të vitit 2025.

Megjithatë, bilanci i udhëtimeve mbetet dukshëm pozitiv për Shqipërinë. Diferenca mes shpenzimeve të të huajve në vend dhe atyre të shqiptarëve jashtë arriti në rreth 594 milionë euro vetëm në tremujorin e dytë.

Për të gjithë gjysmën e parë të vitit 2026, bilanci neto arriti në rreth 956 milionë euro, nga afro 798 milionë euro në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo do të thotë se suficiti nga udhëtimet është zgjeruar me rreth 20% brenda një viti.

Të dhënat tregojnë se, pavarësisht rritjes së shpenzimeve të shqiptarëve jashtë vendit, hyrjet nga të huajt po rriten me një ritëm më të shpejtë, duke e forcuar kontributin neto të turizmit në ekonominë shqiptare.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat