Analiza Postuar më 25 Mars 2026, 11:30

Të huajt “frenojnë” hyrjet në Shqipëri/ Rënie nga tregjet europiane. Shqiptarët mbajtën rritjen në kufi

Nga Xhorxhina Deda

Të huajt “frenojnë” hyrjet në Shqipëri/

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në shkurt 2026 në Shqipëri hynë 1.1 milionë shtetas shqiptarë dhe të huaj, me një rritje prej 3.9% krahasuar me shkurtin 2025. Por pas kësaj rritjeje totale fshihet një zhvillim i qartë. Ritmi i hyrjeve të shtetasve të huaj është zbutur ndjeshëm. Hyrjet e tyre u rritën me vetëm 0.03%, ndërsa për periudhën Janar-Shkurt shënuan rënie me -0.7%. Në praktikë, kjo do të thotë se fluksi i të huajve është pothuajse në stanjacion krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndryshe paraqitet situata për shtetasit shqiptarë, të cilët mbajnë peshën kryesore të rritjes. Në shkurt, hyrjet e shqiptarëve u rritën me 7.6%, ndërsa daljet me 5.3%. Kjo tregon se zgjerimi i lëvizjeve kufitare këtë fillimviti nuk është nxitur nga një bum i ri i vizitorëve të huaj, por kryesisht nga lëvizshmëria më e lartë e vetë shqiptarëve.

Goditja më e madhe në shifrat totale vjen nga tregu europian, që mbetet burimi kryesor i hyrjeve. Në Janar-Shkurt, hyrjet nga Europa ranë me mbi 9 mijë, krahasuar më një vit më parë. Rënie pati sidomos nga Europa Qendrore/Lindore, Europa Perëndimore dhe Europa Lindore/Mesdheu, ndërsa vetëm Europa Jugore shënoi rritje. Kjo tregon se zbutja e ritmit nuk lidhet vetëm me Lindjen e Mesme, por me një ngadalësim më të gjerë të disa tregjeve hyrëse.

Megjithatë, ndikimi i konfliktit në Lindjen e Mesme vështirë se mund të lexohet i plotë në statistikat e shkurtit, pasi përshkallëzimi i fundit nisi ditët e fundit të muajt. Kjo do të thotë se efekti mbi udhëtimet, rezervimet dhe vendimmarrjen e vizitorëve ka më shumë gjasa të reflektohet në të dhënat e marsit sesa në ato të shkurtit.

Megjithatë, këto të dhëna duhen lexuar me kujdes. Vetë metodologjia e INSTAT-it sqaron se statistika mat hyrje dhe dalje në pikat kufitare, jo individë unikë. Kjo do të thotë se i njëjti person mund të numërohet disa herë gjatë vitit. Po ashtu, të dhënat janë paraprake dhe subjekt rishikimi, ndërsa diferencat mes hyrjeve dhe daljeve mund të ndikohen nga procedurat lehtësuese në kufi, kalimet e shpeshta të banorëve të zonave kufitare dhe rasti i shtetasve me dy shtetësi.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat