Analiza Postuar më 15 Shtator 2025, 11:57

Si ndryshoi numri i fëmijëve në kopshte në një dekadë? Në qytet panorama pozitive, në fshatra u përgjysmuan regjistrimet

Nga Xhorxhina Deda

Si ndryshoi numri i fëmijëve në kopshte në një

Numri i fëmijëve të regjistruar në kopshte në Shqipëri ka ndryshuar ndjeshëm gjatë dhjetë viteve të fundit, duke reflektuar realitetin demografik dhe social të vendit. Në vitin 2014 në kopshtet e vendit ishin të regjistruar mbi 82 mijë fëmijë, ndërsa në vitin 2024 ky numër ka rënë në rreth 66 mijë. Rënia është e dukshme dhe shpjegon shumë për transformimet që po kalon shoqëria shqiptare.

Ajo që bie më shumë në sy është boshatisja e fshatrave. Në vitin 2014 në kopshtet rurale frekuentonin mbi 38 mijë fëmijë, ndërsa sot janë vetëm rreth 22 mijë. Pra, në një dekadë fshati ka humbur pothuaj gjysmën e vogëlushëve që dikur mbushnin klasat parashkollore. Ky fenomen lidhet ngushtë me emigrimin, lëvizjen e familjeve drejt qyteteve, por edhe plakjen e popullsisë në zonat rurale.

Ndryshe është panorama në qytete referuar INSTAT. Që nga viti 2014 e deri më sot, numri i fëmijëve në kopshtet urbane ka mbetur pothuaj i pandryshuar, madje vitet e fundit shfaqet një tendencë pozitive. Nga 44 mijë fëmijë në vitin 2014, sot numri është 43,935, duke treguar se qytetet kanë ruajtur stabilitetin e tyre. Ndërkohë, nëse mbetemi tek ndryshimi vjetor nga viti 2023 në vitin 2024, numri i fëmijëve të regjistruar në kopshte në qytet rezulton me rritje.

Kjo tablo e dyfishtë sjell një mesazh të qartë. Ndërsa fshati po përjeton një rënie dramatike të fëmijëve dhe, rrjedhimisht, të jetës sociale, qytetet po e mbajnë gjallë sistemin parashkollor dhe po tregojnë vitalitet. Është një kontrast që shfaq qartë realitetin e Shqipërisë së sotme, një vend që po boshatis zonat rurale.

Përtej sfidës që paraqet kjo situatë, ka edhe një anë pozitive, qytetet po arrijnë të ofrojnë stabilitet. Ky është një tregues se investimi në edukimin e hershëm urban ka dhënë rezultat dhe mund të jetë një bazë e fortë për të ardhmen.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat