Analiza Postuar më 27 Dhjetor 2025, 10:10

Si e shohin shqiptarët situatën ekonomike? RCC: Shqipëria me perceptim më pak negativ se Maqedonia e Veriut dhe Serbia

Nga Eldiona Serani

Si e shohin shqiptarët situatën ekonomike? RCC: Shqipëria me

Perceptimi i qytetarëve për gjendjen e ekonomisë në Ballkanin Perëndimor mbetet dukshëm negativ. Të dhënat më të fundit të Balkan Barometer 2025 tregojnë se shumica dërrmuese e të anketuarve e vlerësojnë situatën ekonomike të vendeve të tyre si të keqe ose shumë të keqe, duke reflektuar shqetësime të forta për standardin e jetesës, fuqinë blerëse dhe pasigurinë ekonomike.

Ajo që bie veçanërisht në sy është fakti se asnjë qytetar në Ballkanin Perëndimor nuk e vlerëson gjendjen e ekonomisë si “shumë të mirë”.

Në Shqipëri, perceptimi i qytetarëve mbetet kryesisht negativ. 61% e të anketuarve e vlerësojnë situatën ekonomike në gjendje jo të mirë, konkretisht 35% e shohin situatën si “mjaft të keqe” dhe 26%  si “shumë të keqe”. Nga ana tjetër, një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve (35%) shprehen neutralë, ndërsa vetëm 4% e shohin ekonominë si “mjaft të mirë”.

Situata më e rënduar perceptohet në Bosnje & Hercegovinë, ku 62% e qytetarëve e konsiderojnë ekonominë “shumë të keqe”, përqindja më e lartë në të gjithë rajonin. Vetëm 1% shprehen se gjendja është “mjaft e mirë”, ndërsa 27% e cilësojnë ekonominë “mjaft të keqe”. Kjo tregon një nivel të lartë pakënaqësie dhe mungesë besimi në përmirësim afatshkurtër.

Në Serbi, 70% e qytetarëve e konsiderojnë ekonominë në gjendje të keqe, ku 41% e cilësojnë “mjaft të keqe” dhe 29% “shumë të keqe”. Vetëm 5% shprehen pozitivisht, ndërsa një e katërta mbajnë qëndrim neutral.

Edhe në Kosovë, perceptimi është kryesisht negativ, me 69% të qytetarëve që e vlerësojnë ekonominë si të keqe ose shumë të keqe, ndërsa 29% mbajnë një qëndrim neutral. Ndërsa në Maqedoninë e Veriut, situata është e ngjashme, ku 72% e të anketuarve shprehen negativisht për gjendjen ekonomike.

Nga ana tjetër në Mal të Zi, vlerësimet negative ndahen pothuajse në mënyrë të barabartë mes “mjaft të keqe” dhe “shumë të keqe”, nga 36% secila, duke e çuar totalin e perceptimit negativ në 72%.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat