Analiza Postuar më 11 Shtator 2025, 11:07

Shumë remitanca, por me Euron kundër tyre/ Në gjysmën e parë të vitit, emigrantët sollën në Atdhe rreth 531.2 milionë euro

Nga Xhorxhina Deda

Shumë remitanca, por me Euron kundër tyre/ Në gjysmën e

Remitancat nga emigrantët shqiptarë kanë shënuar një tjetër rekord historik në tremujorin e dytë të vitit 2025, duke arritur në 281.1 milionë euro, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë. Kjo është shifra më e lartë ndonjëherë për një tremujor të dytë që prej vitit 2008, duke tejkaluar edhe nivelin rekord të një viti më parë.

Në një vështrim krahasues, tremujori i dytë 2025 ka shënuar një rritje me 4.9%, kahasuar me të njetën periudhë të një viti më parë. Por, ajo që vihet re nga të dhënat është fakti se rritja është ngadalësuar, nga 16.8% që rriteshin në tremujorin e dytë të vitit 2024 dhe 20% në vitin 2023.

Përgjatë gjysmës së parë të vitit emigrantët sollën në total rreth 531.2 milionë euro, nga 509.9 që ishte kjo vlerë një vit më parë.

Viti 2024 ishte gjithashtu i jashtëzakonshëm në këtë drejtim, ku dërgesat totale të emigrantëve arritën afro 1 miliard euro, niveli më i lartë që nga nisja e matjeve moderne, dhe më shumë se çdo vit tjetër, përfshirë edhe 2008-ën, vitin që deri vonë mbahej si referencë e flukseve më të mëdha të remitancave.

Por, përtej vlerës nominale, kjo rritje e remitancave vjen në një kontekst të veçantë, zhvlerësimi i euros. Me kursin që ka prekur nivele të ulëta historike ndaj lekut, vlera reale e remitancave në monedhën vendase është relativisht më e ulët për përfituesit në Shqipëri. Pra, edhe pse më shumë euro po hyjnë në ekonomi, fuqia blerëse e tyre është ndikuar ndjeshëm nga zhvlerësimi.

Ky zhvillim krijon një paradoks, më shumë remitanca në euro, por më pak ndikim real për familjet shqiptare, veçanërisht ato që mbështeten te këto dërgesa për konsum të përditshëm. Pra, me kursin mestar të gjysmës së parë të vitit aktual që vlerësohet në 98.39 Lek, remitancat vlejnë gjithsej rreth 52 miliardë lekë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat