Analiza Postuar më 7 Shtator 2026, 12:19

Shtëpia mban gratë larg punës/ Puna e papaguar, 28% përballë vetëm 1.5% te meshkujt

Nga Xhorxhina Deda

Shtëpia mban gratë larg punës/ Puna e papaguar, 28%

Edhe pas një dekade, detyrat shtëpiake vazhdojnë të jenë një nga arsyet kryesore që i mbajnë gratë shqiptare jashtë tregut të punës. Të dhënat e INSTAT-it për popullsinë ekonomikisht joaktive 15-64 vjeç tregojnë se në vitin 2025, 28.1% e grave joaktive deklarohen të angazhuara në përmbushjen e detyrave shtëpiake, ndërsa mes burrave kjo përqindje është vetëm 1.5%.

Krahasuar me vitin 2024, pesha e grave jashtë tregut të punës për shkak të detyrave shtëpiake është rritur ndjeshëm. Një vit më parë treguesi ishte 24.9%, çka do të thotë një rritje me 3.2 pikë përqindjeje brenda një viti.

Në të njëjtën kohë, te burrat ndryshimi mbetet minimal. Nga 0.9% në vitin 2024 në 1.5% në 2025. Kjo do të thotë se në vitin e fundit, përqindja e grave joaktive për shkak të detyrave shtëpiake ishte pothuajse 19 herë më e lartë se ajo e burrave.

Por hendeku nuk është një zhvillim i ri. Në vitin 2015-të, 27.1% e grave ekonomikisht joaktive ishin jashtë tregut të punës për shkak të detyrave shtëpiake, kundrejt vetëm 0.9% të burrave. Pesë vjet më vonë, në 2020, përqindja e grave u ngjit në 28%, ndërsa ajo e burrave ishte vetëm 1%.

Pra, pas një uljeje të përkohshme në vitin 2024, kur treguesi për gratë zbriti në 24.9%, viti 2025 e rikthen peshën e detyrave shtëpiake në nivelin më të lartë të katër viteve të krahasuara.

Edhe në totalin e popullsisë ekonomikisht joaktive, pesha e personave që qëndrojnë jashtë tregut të punës për shkak të detyrave shtëpiake është rritur. Ajo ishte 17.4% në 2015, 18.2% në 2020, ra në 14.6% në 2024, ndërsa në vitin 2025 u ngjit në 18.5%, niveli më i lartë ndër katër vitet.

Të dhënat tregojnë se, pavarësisht ndryshimeve të tregut të punës gjatë dekadës së fundit, ndarja gjinore e barrës së detyrave shtëpiake mbetet pothuajse e pandryshuar. Për gratë, ajo vazhdon të jetë një faktor i rëndësishëm i qëndrimit jashtë forcës së punës, ndërsa për burrat mbetet një arsye thuajse margjinale.

Shqipëria 7 Shtator Edel Strazimiri

Java nis negativisht për valutat e huaja

Dollari amerikan e ka nisur negativisht këtë javë duke regjistruar sërish zbritje të vlerës krahasuar me javën që lamë pas teksa është blerë këtë mëngjes me......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat