Analiza Postuar më 20 Janar 2026, 11:17

Shqiptarët, të shqetësuar nga rreziqet e internetit/ Në fokus, siguria e fëmijëve. Ndërsa, 6% i friksohen zëvendësimit nga IA

Nga Eldiona Serani

Shqiptarët, të shqetësuar nga rreziqet e internetit/ Në

Interneti është shndërruar në një nga mjetet më të domosdoshme të jetës së përditshme, duke lehtësuar komunikimin, punën dhe aksesin në shërbime të ndryshme. Megjithatë, krahas përfitimeve të shumta, ai mbart edhe rreziqe reale, të cilat përbëjnë burim shqetësimi për një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve.

Sipas të dhënave të Ballkan Barometer, krimet në internet renditen ndër shqetësimet kryesore për shqiptarët. Konkretisht, 39% e të anketuarve shprehen të shqetësuar për vjedhjen e të dhënave personale, informacionit të kartave të kreditit dhe forma të tjera të mashtrimit online. Vjedhja e të dhënave nga hacker-at konsiderohet një problem global, nga i cili nuk ka shpëtuar as Shqipëria.

Ndërkohë, shqetësimi më i madh lidhet me sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve në internet. Anketa tregon se 50% e të anketuarve e perceptojnë këtë si një rrezik shumë të konsiderueshëm, përqindje që është në të njëjtin nivel me mesataren rajonale dhe e njëjtë edhe me Malin e Zi.

Një tjetër burim pasigurie mbeten pagesat online, të cilat shihen si problem nga 21% e të pyeturve. Po ashtu, 13% e qytetarëve mendojnë se mungesa e aftësive digjitale për përdorimin e teknologjisë përbën një rrezik, pasi mund të çojë në gabime, mashtrime apo ekspozim ndaj kërcënimeve të ndryshme.

Në listën e shqetësimeve më të reja përfshihet edhe zëvendësimi i burimeve njerëzore nga inteligjenca artificiale. Ky fenomen perceptohet si rrezik nga 6% e të anketuarve, duke u pozicionuar pranë mesatares rajonale.

Megjithatë, jo të gjithë qytetarët e shohin internetin si një mjedis të rrezikshëm. Në Shqipëri, 30% e të anketuarve deklarojnë se nuk janë të shqetësuar nga incidentet e mundshme online, duke e konsideruar përdorimin e internetit si relativisht të sigurt.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat