Analiza Postuar më 5 Shkurt 2026, 10:33

Shqiptarët kursyen më shumë vitin e kaluar/ Totali i depozitave arriti 1.48 trilionë lekë, me rritje të fortë në gjysmën e dytë të vitit

Nga Eldiona Serani

Shqiptarët kursyen më shumë vitin e kaluar/ Totali i depozitave

Shqiptarët e mbyllën vitin 2025 me një nivel rekord kursimesh, duke mbajtur rreth 1.48 trilionë lekë në depozita bankare. Gjatë gjithë vitit, depozitat totale në sistemin bankar shqiptar kanë shfaqur një prirje kryesisht rritëse, çka dëshmon për një besim të qëndrueshëm të qytetarëve dhe bizneseve ndaj bankave si mjet sigurie dhe menaxhimi financiar. Krahasuar me muajin paraardhës, dhjetori shënoi gjithashtu një rritje prej rreth 2.1%.

Nëse analizohet ecuria përgjatë vitit, vihet re se sidomos në gjysmën e dytë depozitat kanë njohur një rritje të ndjeshme. Në fillim të vitit, konkretisht në muajin janar, ato regjistroheshin në nivelin e 1.39 trilionë lekëve, ndërsa dhjetori rezultoi muaji me vlerën më të lartë të kursimeve gjatë gjithë vitit 2025.

Sipas ndarjes sipas monedhave, depozitat në lekë kanë shfaqur rritjen më të theksuar, një tendencë që ka vijuar gjatë gjithë vitit dhe që kulmoi në muajin e fundit. Ndërkohë, në fund të dhjetorit, kursimet në monedhën vendase arritën në rreth 710 miliardë lekë, duke reflektuar një rritje të konsiderueshme krahasuar me fillimin e vitit, veçanërisht në raport me muajin janar. Nga ana tjetër, depozitat në valutë të huaj kanë pësuar lëvizje më të kufizuara, por kanë mbetur vazhdimisht në nivele të larta duke kapur vlerën e 773 miliardëve.

Në tërësi, rritja e depozitave në lekë dhe qëndrueshmëria e kursimeve në valutë tregojnë për një ekuilibër të ri në sjelljen financiare të individëve dhe bizneseve. Kjo prirje pasqyron një përshtatje graduale ndaj kushteve ekonomike, ku monedha vendase po forcon pozicionin e saj përkrah valutës së huaj.

Paralelisht, edhe depozitat e transferueshme kanë shënuar rritje, duke u zgjeruar nga 368 miliardë lekë në 388 miliardë lekë në fund të vitit. Ky zhvillim tregon se qytetarët dhe bizneset po favorizojnë format më fleksibile të kursimit, të cilat u mundësojnë akses të shpejtë në fondet e tyre sipas nevojës.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat