Analiza Postuar më 24 Gusht 2026, 11:54

Shqipëria shton blerjet e krerëve të gjallë nga jashtë/ Korriku sjell një nga faturat më të larta historike, mbi 3 mijë tonë në një muaj

Nga Xhorxhina Deda

Shqipëria shton blerjet e krerëve të gjallë nga jashtë/

Importet e kafshëve të gjalla u rritën ndjeshëm gjatë korrikut, duke u ngjitur pranë niveleve më të larta historike. Vetëm brenda një muaji, Shqipëria importoi rreth 3,055 tonë kafshë të gjalla, me një faturë prej 711.8 milionë lekësh, një nga vlerat më të larta mujore të regjistruara që prej vitit 2005.

Në të gjithë serinë historike, korriku 2026 rezulton muaji i tretë me vlerën më të lartë të importeve. Më lart qëndrojnë vetëm prilli 2024, me rreth 743.6 milionë lekë, dhe dhjetori 2025, me 717.1 milionë lekë.

Edhe në sasi, korriku shënon një nivel shumë të lartë. Me mbi 3 mijë tonë, ai është muaji i dytë me volumin më të madh të importeve në seri, pas dhjetorit 2025, kur u importuan rreth 3,313 tonë kafshë të gjalla.

Krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, ndryshimi është i fortë. Në korrik 2025 ishin importuar rreth 2,281 tonë, ndërsa këtë vit sasia u rrit me rreth 34%. Në të njëjtën kohë, vlera e importeve u rrit me 46.6%, nga 485.5 milionë në 711.8 milionë lekë.

Rritja është e dukshme edhe ndaj muajit të mëparshëm. Nga rreth 2,463 tonë në qershor, importet u ngjitën në 3,055 tonë në korrik, ose rreth 24% më shumë, ndërsa fatura u zgjerua me afro 25.8%.

Tendenca nuk kufizohet vetëm te një muaj. Gjatë periudhës Janar-Korrik 2026, Shqipëria importoi rreth 17,970 tonë kafshë të gjalla, kundrejt rreth 15,099 tonëve në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo përfaqëson një rritje prej rreth 19%.

Në vlerë, fatura e shtatëmujorit arriti në rreth 4.18 miliardë lekë, nga 3.55 miliardë lekë një vit më parë, ose 17.9% më shumë.

Rritja e importeve mund të lidhet edhe me nevojën për të plotësuar ofertën vendase, në një kohë kur blegtoria shqiptare ka humbur krerë në disa kategori. Kërkesa më e lartë sezonale gjatë muajve të verës mund të ketë shtuar më tej nevojën për furnizime nga jashtë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat