Analiza Postuar më 24 Shtator 2025, 09:48

Shqipëria prodhon më shumë mbetje/ Në vitin 2024, çdo banor gjeneroi mesatarisht 360 kg

Nga Xhorxhina Deda

Shqipëria prodhon më shumë mbetje/ Në vitin 2024, çdo

Në vitin 2024, Shqipëria ka prodhuar mbi 862 mijë tonë mbetje, duke shënuar një rritje prej 2.14%, krahasuar me vitin 2023. Çdo qytetar gjeneroi mesatarisht 360 kilogramë mbetje në vit, ose 9 kilogramë më shumë se dy vite më parë.

Pjesa më e madhe e mbetjeve, plot 89.5%, janë familjare ose të ngjashme me to, duke përfaqësuar rreth 771 mijë tonë në total. Struktura e mbetjeve nuk ka ndryshuar shumë ndër vite. Mbetjet organike përbëjnë mbi gjysmën e totalit, me 57.3%, ndërsa plastika dhe letra apo kartoni zënë secila rreth 9-10%.

Nëse analizohet mënyra se si menaxhohen mbetjet, panorama mbetet e njëjtë, shumica përfundon në landfille. Plot 76.3% e mbetjeve të vitit 2024 u depozituan në vendgrumbullime, ndërsa vetëm 18.8% u ricikluan. Vetëm një pjesë e vogël, 4.9%, u përdor për prodhimin e energjisë. Një zhvillim pozitiv është reduktimi drastik i hedhjeve të paligjshme jashtë landfillit, të cilat kanë rënë në vetëm 0.02% të totalit.

Të dhënat e tre viteve të fundit tregojnë qartë rritjen e vazhdueshme të mbetjeve. Në vitin 2022 u menaxhuan 820 mijë tonë, me 295 kilogramë për banor, në vitin 2023 kjo shifër u rrit në 844 mijë tonë dhe 351 kilogramë për banor, ndërsa në 2024 arriti në 862 mijë tonë dhe 360 kilogramë për banor. Vetëm për mbetjet urbane, rritja është edhe më e dukshme, nga 261 kilogramë për banor në vitin 2022 në 322 kilogramë në vitin 2024.

Këto shifra sinjalizojnë një sfidë të rëndësishme për të ardhmen. Shifrat tregojnë një trend në rritje, ndërsa kapacitetet për riciklim dhe menaxhim mbeten pothuajse të pandryshuara.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat