Analiza Postuar më 6 Mars 2026, 10:58

Shqipëria ngjitet në renditjen globale të lirisë ekonomike/ Vendi kryeson rajonin dhe disa ekonomi të rëndësishme në Europë

Nga Eldiona Serani

Shqipëria ngjitet në renditjen globale të lirisë ekonomike/

Shqipëria është renditur në vendin e 46-të në botë për sa i përket indeksit të lirisë ekonomike të publikuar nga Heritage Foundation. Sipas këtij raporti, vendi ynë ka arritur të grumbullojë rreth 68 pikë në vlerësim, duke u pozicionuar në një renditje relativisht të mirë mes 176 vendeve të marra në shqyrtim. Ky rezultat e klasifikon ekonominë shqiptare në kategorinë e ekonomive “më së shumti e lirë”. Krahasuar me vitin e kaluar, vendi ynë është përmirësuar në pikëzim dhe pozicionim pasi vjet renditej në vendin e 50-të

Një nga elementët që bie në sy në këtë raport është fakti se ekonomia shqiptare vlerësohet si më e lirë se disa ekonomi të rëndësishme europiane, si Franca dhe Spanja. Kjo tregon se, në disa tregues të lidhur me funksionimin e tregut, klimën e biznesit dhe politikat ekonomike, Shqipëria paraqitet në një pozicion konkurrues krahasuar me disa vende të zhvilluara të Europës.

Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria rezulton ndër ekonomitë më të lira. Serbia renditet menjëherë pas vendit tonë, duke mbajtur vendin e 62-të me rreth 65 pikë të grumbulluara. Më tej, Mali i Zi renditet në vendin e 70-të me 63.8 pikë. Ndërkohë, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje dhe Hercegovina pozicionohen respektivisht në vendet e 74-t dhe 76-t në renditje. Vendin e fundit në rajon e mban Kosova, e cila renditet në vendin e 81-të me 62.4 pikë. Megjithatë, të gjitha vendet e rajonit klasifikohen në kategorinë e ekonomive mesatarisht të lira, çka tregon se nivelet e lirisë ekonomike në Ballkanin Perëndimor janë relativisht të afërta.

Sa i përket renditjes globale për vitin 2026, vendi me ekonominë më të lirë në botë rezulton të jetë Singapori, i cili kryeson listën me 84.4 pikë. Pas tij renditen ekonomi të zhvilluara si Zvicra, Irlanda, Austria dhe Tajvani, të cilat karakterizohen nga tregje të hapura, politika të qëndrueshme ekonomike dhe nivele të ulëta të ndërhyrjes së shtetit në ekonomi.

Në anën tjetër të renditjes, vendi me ekonominë më pak të lirë mbetet Koreja e Veriut. Kjo lidhet kryesisht me sistemin e saj politik dhe ekonomik të centralizuar, ku shteti kontrollon në mënyrë të plotë aktivitetin ekonomik. Pas saj renditen edhe vende të tjera me sisteme të ngjashme politike dhe ekonomike, si Kuba, Venezuela dhe Sudani.

Indeksi i lirisë ekonomike mat disa komponentë të rëndësishëm të funksionimit të një ekonomie, si niveli i ndërhyrjes së shtetit në treg, liria e biznesit, politikat fiskale, hapja ndaj tregtisë ndërkombëtare, si dhe mbrojtja e të drejtave të pronës. Në bazë të këtyre treguesve, raporti synon të japë një panoramë të përgjithshme mbi shkallën e lirisë ekonomike në vende të ndryshme të botës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat