Analiza Postuar më 20 Korrik 2026, 10:53

Shqipëria, mes shteteve me rritjen më të lartë të trafikut ajror/ 30.2% më shumë fluturime komerciale krahasuar me një vit më parë

Nga Eldiona Serani

Shqipëria, mes shteteve me rritjen më të lartë të

Fluturimet komerciale në Shqipëri vijuan rritjen me ritme të larta edhe gjatë muajit qershor, duke e renditur vendin ndër performuesit më të mirë në Europë. Sipas të dhënave të Eurostat, numri i fluturimeve komerciale u rrit me 30.2% krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, një normë shumë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, e cila ishte vetëm 2.1%.

Kjo e pozicionon Shqipërinë si një nga tregjet ajrore me zgjerimin më të shpejtë në kontinent, duke reflektuar rritjen e vazhdueshme të turizmit, shtimin e linjave ajrore dhe kërkesën në rritje për udhëtime drejt vendit.

Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria dominoi qartë për nga ritmi i rritjes. Pas saj renditet Mali i Zi me një rritje prej 18%, ndërsa Maqedonia e Veriut regjistroi një rritje modeste prej 2.1%. Serbia shënoi një zgjerim prej vetëm 1.6%, ndërsa Bosnje-Hercegovina rezultoi në kahun e kundërt, me një rënie të ndjeshme prej 8.3% të fluturimeve komerciale.

Diferenca mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit tregon se tregu shqiptar vijon të jetë ndër më dinamikët në Ballkan, i mbështetur nga rritja e numrit të turistëve të huaj dhe zgjerimi i ofertës së destinacioneve ajrore.Në nivel europian, vetëm pak vende arritën ritme rritjeje të krahasueshme me Shqipërinë. Rekordin e mbajti Sllovakia, ku fluturimet komerciale u rritën me 40.3%, e ndjekur nga Shqipëria me 30.2% dhe Mali i Zi me 18%. Rritje dyshifrore regjistroi edhe Malta me 15.3%, ndërsa rezultate të forta raportuan gjithashtu Hungaria, Polonia dhe Estonia (+9.2%).

Nga ana tjetër, disa tregje të rëndësishme europiane shënuan tkurrje të aktivitetit ajror. Rënien më të madhe e regjistroi Islanda, me -8.8%, e ndjekur nga Bosnje-Hercegovina (-8.3%), Turqia (-5.5%), Gjermania (-4.9%) dhe Austria (-4.0%).

Të dhënat tregojnë se zgjerimi i trafikut ajror në Europë nuk ka qenë i njëtrajtshëm. Ndërsa tregjet e konsoliduara po rriten me ritme të ngadalta ose po përballen me tkurrje, vende si Shqipëria po përfitojnë nga zgjerimi i turizmit, shtimi i linjave "low-cost" dhe rritja e interesit të udhëtarëve ndërkombëtarë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat