Analiza Postuar më 21 Janar 2026, 11:30

Shqipëria, me rritjen më të lartë të fluturimeve në Europë/ Viti 2025 shënoi zgjerim të fortë të trafikut ajror krahasuar me periudhën para pandemisë

Nga Eldiona Serani

Shqipëria, me rritjen më të lartë të fluturimeve

Fluturimet komerciale mbeten një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit të turizmit dhe lëvizshmërisë ndërkombëtare. Në këtë drejtim, Shqipëria ka shënuar një performancë të jashtëzakonshme gjatë vitit 2025, duke u renditur si vendi me rritjen më të lartë të fluturimeve komerciale në kontinent, krahasuar me periudhën para pandemisë.

Sipas të dhënave zyrtarenga Eurostat, gjatë vitit 2025 rritja mesatare vjetore e fluturimeve komerciale në Shqipëri ka arritur në 148.6%, duke reflektuar një rimëkëmbje të fortë të sektorit ajror dhe një kërkesë në rritje për udhëtime drejt vendit. Kulmi i kësaj rritjeje është shënuar në muajin tetor, ku fluturimet kanë regjistruar një rritje rekord prej 173.3% krahasuar me të njëjtën periudhë para pandemisë.

Edhe muaji dhjetor ka vijuar me rezultate pozitive. Krahasuar me dhjetorin e para-pandemisë, fluturimet komerciale në Shqipëri kanë shënuar një rritje prej 106.8%, duke konfirmuar se trendi pozitiv ka vazhduar edhe në mbyllje të vitit. Me këto rezultate, Shqipëria jo vetëm që kryeson rajonin, por renditet gjithashtu e para edhe në nivel europian për sa i përket rritjes së fluturimeve komerciale.

Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, pas Shqipërisë renditet Bosnje & Hercegovina, e cila ka qenë ndër 10 vendet me rritjen më të lartë në terma vjetorë. Për muajin dhjetor, ky shtet ka shënuar një rritje prej 50.8%. Më pas vjen Serbia me një rritje prej 42.3%, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 28.8%.

Ndryshe nga këto tendenca pozitive, Mali i Zi ka shënuar një rënie të fluturimeve komerciale. Konkretisht, gjatë muajit dhjetor është regjistruar një ulje prej 6.5%, çka tregon një ngadalësim të aktivitetit ajror, i lidhur kryesisht me faktorë sezonalë dhe ndryshime në kërkesën turistike.

Sa i përket vendeve europiane me rritje të lartë, përveç Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës, rezultate pozitive kanë shënuar edhe Qiproja me një rritje prej 43%, e ndjekur nga Greqia dhe Sllovakia, të cilat kanë përfituar nga forcimi i turizmit dhe zgjerimi i linjave ajrore.

Në anën tjetër, vendet që kanë pësuar uljen më të madhe të fluturimeve gjatë vitit janë kryesisht ato nordike, si Finlanda, Suedia dhe Norvegjia, ku faktorët klimatikë dhe ndryshimet në kërkesë kanë ndikuar ndjeshëm. Ndërkohë, për muajin dhjetor, rënien më të theksuar e ka shënuar Letonia me 25.6%, e ndjekur nga Suedia dhe Gjermania.

Këto të dhëna konfirmojnë se Shqipëria po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një nyje e rëndësishme ajrore në rajon, duke reflektuar rritjen e interesit turistik, zgjerimin e ofertës së fluturimeve dhe një pozicionim gjithnjë më të fortë në hartën europiane të udhëtimeve.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat