Analiza Postuar më 2 Qershor 2026, 11:10

Shqipëria humbi rreth 27 mijë banorë në një vit/ Popullsia rezultoi në 2.33 milionë banorë në Janar të këtij viti

Nga Xhorxhina Deda

Shqipëria humbi rreth 27 mijë banorë në një vit/

Popullsia e Shqipërisë vijon të tkurret, teksa vendi humbi rreth 27,400 banorë gjatë vitit 2025 dhe zbriti në 2.33 milionë banorë më 1 janar 2026, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, duke konfirmuar vazhdimësinë e prirjes së rënies demografike të nxitur kryesisht nga emigracioni dhe plakja e popullsisë.

Ndërkohë, vitin e kaluar popullsia e vendit rezultonte në 1.36 milionë banorë, duke regjistruar këtë vit një rënie prej 1.16%.

Rënia e popullsisë është ndikuar kryesisht nga emigracioni, i cili edhe gjatë vitit 2025 mbeti negativ. Sipas INSTAT, migracioni neto rezultoi me -28.531 persona, ndërsa shtesa natyrore e popullsisë mbeti pozitive, me 1,147 lindje më shumë se vdekje. Megjithatë, kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për të frenuar tkurrjen demografike të vendit.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se popullsia shqiptare po plaket. Mosha mediane është rritur nga 44.3 vjeç në 45 vjeç, ndërsa raporti i varësisë së të moshuarve është rritur nga 33.3% në 35.7%, duke reflektuar një barrë gjithnjë e më të madhe për popullsinë në moshë pune.

Në nivel rajonal, Tirana mbetet i vetmi qark që ka shënuar rritje të popullsisë, me 0.7% krahasuar me një vit më parë. Në krahun tjetër, tkurrja më e madhe është regjistruar në qarqet e Kukësit dhe Shkodrës, me përkatësisht 2.59% dhe 2.56% më pak banorë.

Tirana vazhdon të jetë qarku më i populluar në vend, duke përqendruar rreth 32.8% të popullsisë totale. Pas saj renditen Fieri, Elbasani dhe Durrësi, të cilët mbajnë peshën më të madhe në shpërndarjen gjeografike të banorëve në Shqipëri.

Shqipëria humbi rreth 27 mijë banorë në një vit/

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat