Analiza Postuar më 1 Gusht 2025, 11:51

Shqipëria, e “përkëdhelura” e Trump në rajon! Vendi ynë, Mali i Zi dhe Kosova, me tarifa 10%. Lehtësohen vendet e tjera

Nga Xhorxhina Deda

Shqipëria, e “përkëdhelura” e Trump në rajon!

Shtëpia e Bardhë vijoi me zbatimin e strategjisë tregtare të Presidentit Trump, duke krijuar tarifa të reja përmes një urdhri ekzekutiv. Masat e reja tarifore nga 10% deri në 40%, prekin thuajse të gjithë partnerët kryesorë ndërkombëtarë të SHBA-s.

Por si kanë ndryshuar tarifat e reja për Shqipërinë dhe rajonin?

Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova janë të paprekura nga këto ndryshime, duke ruajtur të njëjtën masë tatimore prej 10%. Ndërkohë, nga ana tjetër, Serbia do të përballet me një masë prej 35%, Maqedonia e Veriut prej 15% dhe Bosnje Hercegovina prej 30%. Më herët Serbia kishte një masë tatimore prej 37%, Maqedonia e Veriut prej 33% dhe Bosnje Hercegovina prej 35%. Sërish Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi janë më të avantazhuarat sa i përket masave të vendosura.

Nëse analizojmë partnerët kryesorë të eksportit të Shqipërisë për vitin 2024 si një të plotë shohim se SHBA-ja është në “Top 10” partnerët kryesorë.

Tre vitet e fundit regjistrojnë vlerën më të lartë të eksporteve me këtë vend, ku vetëm për vitin që lamë pas vlera e eksporteve regjistrohet në rreth 7.1 miliardë lekë. Në total marrëdhëniet tregtare të dy vendeve për vitin 2024 vlerësohen në afërsisht 28 miliardë lekë.

Të dhënat e gjysmës së parë të këtij viti flasin për rreth 2.2 miliardë eksporte me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një rritje vjetore prej 4%.

Çfarë dërgojmë në Amerikë?

Produktet janë të larmishme, nga tekstilet e deri tek produktet minerale e bujqësore. Peshën më të madhe e ka giza dhe çeliku, pasuar nga farat vajore dhe bimët medicinale, alumini, mobilieritë, produktet bulmetore dhe peshku e plastika.

Ndikimi i këtyre tarifave për vendin tonë mund të jetë edhe i drejtpërdrejtë, por edhe i tërthortë. Tarifa prej 10% prek eksportet shqiptare, duke rritur çmimet e produkteve në tregun Amerikan dhe duke i bërë produktet më pak konkuruese. Ndërkohë, nga ana tjetër, rritja tarifave kundër vendeve si Kina apo Bashkimi Europian mund të ndikojnë Shqipërinë.

 
 

 

Ndrysho madhesinë
Aa
Modaliteti i errët

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat