Analiza Postuar më 3 Shkurt 2026, 11:45

Shqipëri vs BE, ku goditi më fort inflacioni? Argëtimi “shpërthen” tek ne, ushqimi dhe arsimi shtrenjtohen më shumë në BE

Nga Scan TV

Shqipëri vs BE, ku goditi më fort inflacioni? Argëtimi

Të dhënat e ndryshimi vjetor të matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumi për vitin 2025 tregojnë se struktura e shtrenjtimit ka qenë dukshëm e ndryshme mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, si për nga grupet më të prekura, ashtu edhe për intensitetin e rritjes së çmimeve.

Në Shqipëri, rritja më e fortë e çmimeve u regjistrua te argëtimi dhe kultura, me një normë inflacioni prej 8.5%, shumë më e lartë se në BE, ku i njëjti grup u shtrenjtua vetëm me 1.9%. Kjo diferencë tregon se shërbimet kulturore dhe argëtuese kanë qenë dukshëm më të shtrenjta për konsumatorin shqiptar sesa për atë evropian.

Një tjetër grup ku Shqipëria shënoi rritje më të lartë se BE-ja është mobilimi, pajisjet e shtëpisë dhe mirëmbajtja, me 3% kundrejt 0.6% në BE, si dhe veshjet dhe këpucët, ku inflacioni ishte 1.4% në Shqipëri dhe 0.4% në BE.

Ndërkohë, transporti në Shqipëri pati rënie çmimesh prej -0.8%, ndërsa në BE u shënua rritje prej 0.7%, duke e bërë këtë grup një tjetër pikë të qartë dallimi mes dy tregjeve.

Në Bashkimin Europian, shtrenjtimi ishte më i fortë sesa në Shqipëri në shumicën e grupeve bazë të konsumit. Ushqimet dhe pijet joalkoolike u rritën me 3.2% në BE, krahasuar me vetëm 2% në Shqipëri. Po ashtu, pijet alkoolike dhe duhani u shtrenjtuan më shumë në BE, me 4.4% sesa në Shqipëri me 3.4%.

Një diferencë e dukshme vërehet edhe te qiratë, energjia dhe lëndët djegëse, ku inflacioni në BE arriti 2.8%, ndërsa në Shqipëri ishte vetëm 0.8%. Edhe shëndetësia me 3.2% në BE kundrejt 1.1% në Shqipëri dhe shërbimi arsimor me 4.7% në BE kundrejt 1.9% në Shqipëri, u shtrenjtuan ndjeshëm më shumë në vendet e BE-së.

Në sektorin e shërbimeve, hotelet, kafenetë dhe restorantet shënuan rritje më të lartë në BE me 4.1% sesa në Shqipëri me 3%. Ndërkohë, komunikimi shënoi rënie çmimesh në BE me -1.5%, ndërsa në Shqipëri pati rritje prej 1.2%.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat