Sasia e peshkut të kapur zbriti me 7.9% gjatë 2025-ës/ Sektori regjistroi një rritje të numrit të subjekteve të licencuara
Nga Eldiona Serani
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave rezulton se, gjatë vitit 2025, sasia e peshkut të zënë nga të gjitha kategoritë ujore ka pësuar rënie krahasuar me një vit më parë. Përgjatë këtij viti, sasia totale e peshkut të kapur arriti në 15.1 mijë tonë, duke shënuar një ulje prej 7.9% në raport me vitin paraardhës.
Gjatë vitit 2025 vijoi edhe procesi i ripopullimit të burimeve ujore, ku u hodhën në liqenin e Ohrit 1.2 milionë rasate të Troftës Ylber, 2 milionë rasate të Koranit dhe 0.6 milionë rasate Krapi. Këto ndërhyrje synojnë ruajtjen e ekuilibrit të ekosistemeve ujore dhe mbështetjen e zhvillimit të peshkimit në ujërat e brendshme.
Në strukturën e zënies së peshkimit, akuakultura vijon të mbajë peshën më të madhe, duke përbërë 43.2% të totalit të zënieve, ose rreth 6.5 mijë tonë. Pas saj renditen peshkimi detar me 29.2% dhe ujërat e brendshme me 19.8%, duke treguar rolin e rëndësishëm që ka rritja e peshkut në ferma ujore për furnizimin e tregut.
Sipas kategorive ujore, molusqet kanë qenë grupi i vetëm që ka regjistruar rritje gjatë vitit 2025, me një shtim të zënieve prej 158.2%. Në të kundërt, sektorë të tjerë kanë shfaqur tkurrje, ku lagunat kanë shënuar një rënie prej 8.2%, akuakultura një rënie prej 8.6%, ndërsa ulja më e ndjeshme është regjistruar në peshkimin bregdetar, me 12.1%.
Edhe sipas specieve të peshkut ka pasur ndryshime të dukshme. Karkaleci i thellësisë ka regjistruar një rritje prej 15.9%, merluci me 13.7% dhe sardelja me 15.2%. Ndërkohë, në ujërat e brendshme, karasi ka shënuar rritje prej 33.9%, skorta me 23.6%, ndërsa krapi me 18.2%.
Paralelisht me prodhimin dhe zëniet, edhe aktiviteti ekonomik në sektorin e peshkimit ka vijuar të zgjerohet. Në vitin 2025 janë të licencuara 854 subjekte që ushtrojnë aktivitet peshkimi, 21 subjekte më shumë krahasuar me vitin 2024. Flota shqiptare operon kryesisht në Nën-Zonën Gjeografike 18 (Adriatiku i Jugut).
Sa i përket shpërndarjes së mjeteve lundruese sipas porteve, përqendrimi më i madh i anijeve të licencuara është në portin e Durrësit me 36.3% të totalit. Pas tij renditet Vlora me 30.6%, ndërsa Lushnje-Fieri dhe Himara zënë përkatësisht 2.1% dhe 1.6%.
Sipas llojit të anijeve, pjesa më e madhe e flotës përbëhet nga anije me rrjeta, të cilat zënë 73.2% të totalit, ndërsa anijet me tërheqje fundore ose pelagjike përbëjnë 23.5%.