Analiza Postuar më 15 Dhjetor 2025, 10:39

Sa shpenzojnë shqiptarët jashtë? Çdo dalje nga territori i Shqipërisë na kushtoi rreth 350 euro

Nga Xhorxhina Deda

Sa shpenzojnë shqiptarët jashtë? Çdo dalje nga territori i

Në periudhën Janar-Shtator 2025, çdo dalje e një shtetasi shqiptar jashtë vendit ka kushtuar mesatarisht rreth 352 euro, pothuajse në të njëjtin nivel me 349 euro që ishte në të njëjtën periudhë të vitit 2024. Kjo tregon se shpenzimi mesatar për çdo udhëtim mbetet i qëndrueshëm, pavarësisht se shpenzimet totale të shqiptarëve jashtë vendit kanë shënuar rritje të ndjeshme. Me fjalë të tjera, shqiptarët po shpenzojnë pak a shumë të njëjtën shumë për çdo udhëtim, por po dalin më shpesh.

Shpenzimet totale të shqiptarëve jashtë vendit sipas “Bankës së Shqipërisë” kanë arritur 2.3 miliardë euro në Janar-Shtator 2025, nga 2.09 miliardë euro në të njëjtën periudhë të vitit 2024. Njëkohësisht, numri i daljeve ka shënuar rritje të ndjeshme, duke kaluar nga 5.9 milionë dalje në 2024 në 6.5 milionë dalje në 2025. Kjo tregon se rritja e shpenzimeve totale nuk lidhet me rritjen e shpenzimeve për çdo udhëtar, por me intensifikimin e lëvizjeve jashtë vendit.

Trendët e fundit tregojnë se shqiptarët po dalin jashtë vendit më shpesh. Kjo për shkak të paktave më të lira edhe si pasojë e rënies së euros. Shumica e këtyre daljeve lidhen me vizita të shkurtra, udhëtime pune, apo vizita familjare, që zakonisht shoqërohen me shpenzime të moderuara. Nga ana tjetër, kjo tendencë reflekton një zgjerim të aktivitetit turistik jashtë vendit dhe një rritje të mobilitetit të qytetarëve shqiptarë.

Analiza e të dhënave tregon pak a shumë se rritja e shpenzimeve totale jashtë vendit është kryesisht produkt i volumit më të madh të udhëtimeve dhe jo i rritjes së fuqisë shpenzuese për çdo udhëtim. Kjo tregon një qëndrueshmëri të ekonomisë personale të qytetarëve gjatë periudhave të lëvizjes jashtë, edhe në kushtet e ndryshimeve të kostove dhe çmimeve në vendet pritëse.

Shqipëria 15 Dhjetor Edel Strazimiri

Si ka  nisur kjo javë për valutat kryesore?

Dollari amerikan e ka nisur javën negativisht pasi në raport me javën e kaluar ka humbur pikë gjatë fundjavës duke u blerë këtë mëngjes me 81.7 lekë dhe duke......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat