Sa peshon rekordi i remitancave në shtëpitë shqiptare? Nga 1.12 miliardë euro, pjesa më e madhe mban tryezën

Remitancat e emigrantëve shqiptarë arritën në 1.12 miliardë euro në vitin 2025, niveli më i lartë i regjistruar deri tani. Por kjo shifër bëhet më e kuptueshme kur zbret nga niveli makro te familja.
Duke marrë si bazë 756 mijë familje të regjistruara nga Censi 2023, dhe duke aplikuar mbi to profilin e Anketës së Migracionit 2024, rezulton një përllogaritje domethënëse. Nëse 37% e familjeve kanë të paktën një emigrant dhe afërsisht gjysma e familjeve emigrante, konkretisht 48% kanë marrë remitanca, atëherë paratë e ardhura nga jashtë kanë prekur rreth 134 mijë familje në shkallë vendi. Sipas anketës, për familjet përfituese remitancat përbëjnë 41% të të ardhurave totale.
E përkthyer në vlerë, fluksi rekord prej 1.12 miliardë eurosh barazohet me mesatarisht rreth 8.3 mijë euro në vit për familje përfituese, ose afërsisht €695 në muaj. Kjo është një shumë që flet më qartë sesa vetë rekordi. Remitancat nuk janë thjesht një tregues i hyrjeve valutore, por një pjesë e drejtpërdrejtë e buxhetit mujor të mijëra familjeve shqiptare.
Edhe më domethënës është përdorimi i këtyre parave. Anketa tregon se 90% e familjeve përfituese i përdorin remitancat për ushqim dhe nevoja të përditshme, 36% për shpenzime shëndetësore dhe 30% për arsim, ndërsa më pak se 2% për zgjerim biznesi ose inpute bujqësore. E përkthyer mbi numrin e familjeve që rezultojnë përfituese, kjo do të thotë se rreth 121 mijë familje i përdorin këto para për tryezën e përditshme, rreth 48 mijë për shëndetin, rreth 40 mijë për arsimin, ndërsa më pak se 2,700 për investim produktiv.
Në një Shqipëri ku më shumë se një në tre familje ka të paktën një anëtar emigrant, remitancat po shërbejnë para së gjithash si mbështetje për jetën e përditshme, ndërsa roli i tyre në investim mbetet akoma i kufizuar
Theksojmë se shifrat për numrin e familjeve përfituese dhe mesataren mujore janë përllogaritje ilustrative, të ndërtuara duke kombinuar totalin e familjeve të Censit 2023 me peshat e raportuara nga Anketa e Migracionit 2024 dhe shumën totale të remitancave për vitin 2025. Ato nuk përfaqësojnë një numërim administrativ të drejtpërdrejtë.
Live TV
Dervishi: Informacioni, themel i lirisë - Komisioneri shqiptar drejtoi konferencën ndërkombëtare për transparencën në Sierra Leone
Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, drejtoi në Freetown të Sierra Leones sesionet publike të......
A mjafton vetëm transparenca? - Spaho: “Pasqyra e Çmimeve” të shoqërohet me masa për rritjen e konkurrencës
Sa mund të ndikojë “Pasqyra e Çmimeve” në faturën që qytetarët paguajnë në supermarket? Eksperti I ekonomisë, Mateo Spaho shprehet se kjo nismë është......
Forcojmë peshën në tregti/ Për çdo 100 lekë mallra importi, sigurojmë rreth 40.5 lekë përmes eksporteve
Eksportet shqiptare po tregojnë një përmirësim gjatë vitit 2026, duke u rritur më shpejt se importet dhe duke forcuar lehtë raportin mes mallrave që vendi......
BE “hap portat”? - Tregu europian afrohet për kandidatët, por përfitimet lidhen me reformat
Bashkimi Europian po shqyrton një mënyrë të re për t’iu afruar vendeve kandidate: në vend që përfitimet më të mëdha ekonomike të vijnë vetëm pas anëtarësimit,......

